Ditën e hënë, që shënoi ditën e parë të vitit të ri shkollor, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan u rikthyen në banka, këtë herë në një ambient tërësisht të rikonstruktuar.
Kryeministri Edi Rama publikoi disa foto nga shkolla, duke theksuar transformimin e plotë të objektit:
“Mbi 350 nxënës dhe mësues të Shkollës ‘Fadil Gurmani’ në Elbasan kanë nisur mësimin në klasa dhe ambiente moderne, pas një transformimi tërësor që e ka kthyer shkollën në një hapësirë të denjë për mësim, falë investimit të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Elbasan.”
Ky investim përfshiu rikonstruksionin e plotë të godinës ekzistuese, sistemin e ngrohjes, klasat e mësimit, laboratorët dhe ambiente të reja rekreative për nxënësit. Objekti i ri është konceptuar për të ofruar jo vetëm kushte optimale mësimore, por edhe një ambient të sigurt dhe inkurajues për zhvillimin social dhe akademik të fëmijëve.
Në total, këtë vit shkollor në bankat e shkollave të Bashkisë Elbasan do të ulen rreth 15 mijë nxënës, prej të cilëve 1.200 fëmijë do të nisin për herë të parë klasën e parë.