ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot qëndrimet e Shqipërisë ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë janë të qarta, të njohura, të pandryshuara.

Duke u përgjigjur interesimit të gazetarëve për qëndrimin e Shqipërisë ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë, Rama tha në konferencën për shtyp se “në këndvështrimin tim rruga për të adresuar këtë tension që rritet çdo ditë në këtë konflikt, që është burim i tensionit, është rruga e bisedimeve. Është rruga e gjetjes së të gjithë arsyeve të mundshme, të imagjinueshme për të biseduar dhe për të kërkuar me durim pikat e përbashkëta edhe pse ato janë në dukje tejet të vështira për t’u gjetur”.

“Besoj që çdo shqiptar që ndjek me sadopak interes ecurinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtarë, sot duhet të ndihet mirë dhe i vlerësuar, të ndjehet pjesë e atij komuniteti vlerash jo thjesht në aspektin e renditjes në gjirin e atij komuniteti, por në aspektin e mundësisë që na jepet për të dhënë një kontribut ekstra dhe për faktin se na njihet aftësia që të mund të japim një kontribut ekstra. Nuk është çiftëzim as i rastësishëm as formal ky që është bërë fakt tanimë mes SHBA dhe Shqipërisë në këshillin e Sigurimit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është një çiftëzim strategjik dhe shumë domethënës për marrëdhëniet tona. Nuk jemi në fushën e qokave. Bëhet fjalë për të krijuar një dyshe që do angazhojë Këshillin e Sigurimit për këtë temë, por jo vetëm. Ne do të kemi mundësi në këto dy vite të luajmë një rol, duke shfrytëzuar peshën e madhe që i jep këtij çiftëzimi partneri tjetër, SHBA”.

Lidhur me letrën e Rusisë për vendet anëtare të NATO-s dhe OSBE-së, Rama tha se “më tregoni një qeveri tjetër që është marrë më atë letër sepse ajo letër nuk i drejtohet e Shqipërisë, ajo letër i drejtohet të gjithë vende anëtarë të NATO-s dhe OSBE-së. Asnjë qeveri nuk është marrë me atë letër publikisht, e kanë marrë atë letër po e lexojnë ndërsa qëndrimet tona janë publike të qarta dhe të drejta, besoj unë.

“Ne nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet bilaterale me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik i Shqipërisë, por ne kemi një ndarje shumë të qartë në këtë pikë dhe gjithë zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike nuk ka lidhej fare me ne, me qeverinë, me marrëdhëniet ndërkombëtare, me Ukrainën, me Rusinë. Është një zhurmë brenda atij katundi mes të marrëve që kanë marrë peng qytetarët e mirë dhe të arsyeshëm demokratë”, tha Rama.

/k.s/j.p/