Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti, ekranizim i romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vjen për publikun tashmë i restauruar.

 

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale i fton të gjithë që të ndjekin tani në 4K filmin e realizuar në 1989 “Kthimi i ushtrisë së vdekur” që iu nënshtrua digjitalizimit duke u restauruar, si një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat.

 

Ky projekt vjen në këtë vit jubilar të çlirimit të vendit, si një homazh për njeriun; për njeriun që luftoi, atë që vuajti pasojat e luftës dhe për atë që ra duke mbrojtur kauzat e atdheut të tij.

 

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmi ka falënderuar laboratorin e Romës, Augustus Color, që iu bashkua këtij projektit duke mundësuar skanimin e këtij filmi pas skanimit të elementeve negativë të figurës dhe zërit në studion e re të digjitalizimit në AQSHF.

 

Muzika në film mban emrin e kompozitorit Gjon Simoni. Operator Bardhyl Martiniani, piktor Kleo Nini, montazhi Mimoza Nano, zëri Spiro Konduri, kostumograf Durim Neziri. Filmi është prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, 1989.

 

Në role janë aktorë Bujar Lako, Guljelm Radoja, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Kastriot Ahmetaj, Vasillaq Godo, Raimonda Bulku, Liza Vorfi, Birçe Hasko, Andon Qesari, Petraq Xhillari, Ilia Shyti, Liza Laska, Xhemil Tagani, Xhelal Tafaj, Niko Kanxheri, Justina Aliaj, etj. Restaurimi i filmave që janë me probleme është pohuar me shumë rëndësi edhe nga regjisorë të ndryshëm.atsh