ATSH/ Në qytetin e Krujës u prezantua sot projekti për restaurimin e Muzeut Etnografik të Krujës, si dhe granti i Bashkimit Evropian për banorët dhe Bonusit të Rijetëzimit të shtëpive të vjetra, në funksion të ekonomisë familjare e turizmit.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, ministrja e Kulturës Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Krujës Artur Bushi, specialistë të trashëgimisë kulturore, etj.
Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama tha se “jemi në një takim që është në vazhdën e një pune dhe përpjekjeve të përbashkëta në këtë rast me Komisionin Evropian në funksion të transformimit të një krize dhe pasojave të një krize të rëndë, që u shkaktua nga tërmeti në një sërë mundësish të reja për të prekurit prej tërmetit, për fëmijët, për të rinjtë, familjet dhe për vetë zonat ku ndër të tjera është prekur edhe trashëgimia jonë kulturore”.
“Pikërisht për trashëgiminë kulturore me Bashkimin Evropian dhe Komisionin Evropian kemi hartuar një program që hap pas hapi do të jetësohet me nisma konkret. Po ashtu programi EU4Culture është një burim tjetër energjie dhe sinergjie mes nesh dhe Komisionit Evropian”, tha Rama.
Kryeministri Rama vuri në dukje se “këto burime plotësohen dhe harmonizohen edhe falë një ndërhyrje të re të qeverisë përmes Ministrisë së Kulturës për të stimuluar ekonominë familjare të atyre që kanë trashëguar banesa në zonat historike, që kanë trashëguar banesa me vlera të trashëgimisë kulturore me të cilët ne jemi sot të gatshëm të ndërtojmë një rrugë të përbashkët, ku qeveria do të financojë projektet e tyre dhe ata do të përfitojnë nga grandet e qeverisë dhe Komisionit Evropian, për të transferuar banesat e vjetra e shpesh të pabanuara në një hapësirë të një aktiviteti ekonomik, që do të krijojnë vetëpunësim, punësim dhe ekonomi për familjet, por edhe vlerë të shtuar për turizmin dhe ekonominë e zonës”.
Rama shprehu bindjen se “ky program ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe kemi gatishmërinë që këtë program ta fuqizojmë vit pas viti duke rritur financimin”.
Por, vijoi Rama, është shumë e rëndësishme që të kemi nga ana e banorëve një reagim konkret dhe të ndërtojmë modelet e duhura siç kemi bërë dhe tanimë kemi hyrë në një rrugë pa kthim në fushën e zhvillimit rural ku AZHBR ka qenë një urë ndërveprimi dhe harmonizimi të financimeve mes BE qeverisë shqiptare dhe sipërmarrjes private.
“Ftesa ime për të gjithë banorët e këtyre zonave këtu në Krujë, në zonën e kalasë, por jo vetëm, në Berat, Gjirokastër, Shkodër, kudo ku ka të tilla vlera të përfshihen dhe të bëjnë atë që na mëson çdo ditë e më shumë rruga e evropianizimit dhe integrimit në familjen evropiane, që paratë fondet, mbështetja financiare vijnë me ide, projekte, aplikime të besueshme dhe bindëse, nuk vijnë si lëmosha që shpërndahen lart e poshtë”, tha Rama duke shtuar se për këtë së bashku me Komision dhe partnerët e tjerë do afrojmë asistencë për të gjithë ata që janë të interesuar .
Më tej Rama tha se “kemi pasur qysh në krye të herës bindjen se kjo krizë e madhe ishte mundësi e madhe dhe nga kjo goditje e madhe mund dhe do të dilnim më të fortë për të rindërtuar për të pasur mbrapsht ato që humbëm, por me cilësi e standarde më të mira se ç’ishin para se të goditeshin nga tërmeti. Kjo ka ndodhur me banesat me shkollat, për të cilat kemi bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Evropian dhe kjo po ndodh edhe trashëgiminë kulturore”.
Kryeministri Rama tha se “përpara se të vinim këtu pamë Kullën e Kalasë dhe sot me këtë ndërhyrje që po bëhet kulla është më e fortë se ç’ishte para se të goditej nga tërmeti. Kalaja e Krujës me këto ndërhyrje dhe me këtë sinergji që do të bëjmë çmos ta krijojmë edhe me ata që kanë asete të pa vëna në shfrytëzim jo vetëm brenda mureve të kalasë, do të bëhet më e mirë, më e bukur dhe më tërheqëse, pasi ka zona brenda kalasë që kanë nevojë për ndërhyrje, për përmirësim, për rikualifikim, ku për harmonizim për pjesët e tjera që janë të mirë restauruara dhe të mirëmbajtura”.
Shpallja e thirrjes, “Rikrijimi i së shkuarës, të ndërtojmë të ardhmen”, në vlerën e rreth 350 mijë euro, është pjesë e një skeme granti prej 1.3 milionë euro, që do t’u jepet atyre subjekteve që operojnë në sektorin e kulturës dhe krijimit, gjatë viteve 2022-2024.
/k.s/



























