Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ambientet e kësaj shkolle, e projektuar nga studioja lokale e arkitekturës “CommonSense”.
Objekti i ri arsimor është transformuar si pjesë e një nisme më të gjerë për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve, të mbështetur nga qeveria shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Bashkinë Kamzë.
Rama shprehu krenarinë për shkollat e gjeneratës së re që janë ndërtuar me ngulm në këto vite, duke u krijuar faktikisht nxënësve e mësuesve kushte të njëjta si në shkollat më të bukura të Europës.
“Kjo shkollë e projektuar nga “CommonSense”, një studio arkitektësh lokalë të rinj e plot talent, të cilët janë rritur shumë falë edhe bashkëpunimit me arkitektët e shquar ndërkombëtarë”, shtoi kryeministri.
Rama theksoi se shkolla mban emrin e Angela Merkel në respekt të mbështetjes që kancelarja dha pas tërmetit.
“Shkolla është një xhevahir arkitektonik në kurorën shembullore të dhjetëra shkollave e kopshteve të rilindura në Kamzë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me mbështetjen e qeverisë shqiptare e në bashkëpunim të ngushtë me kryebashkiakun shembullor Rakip Suli”, u shpreh Rama.