ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot nga Vlora se, Plani i Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë është fitues dhe  se të gjithë komponentë e tij janë aty ku duhet dhe eksperienca e artikuluar është një vlerë e shtuar për realizimin e këtij plani.

Në fjalën e tij në kuadër të Planit të Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë, të zhvilluar në Pyllin e Sodës në Vlorë, Rama tha se “uroj që në këtë proces të bashkohen shumë njerëz, por uroj që të gjithë ata që nuk bashkohen dhe janë në të drejtën e tyre dhe mund ta bëjnë punën e tyre pa u bashkuar në këto aktivitete të mos ndotin ta mendojnë dy herë kur lëshojnë përtokë, hedhin nga dritarja e makinës, apo i lënë pasi ngrihen nga një piknik mbetjet e tyre duke iu dhënë shembullin më skandaloz e kriminal fëmijëve të tyre që shikojnë prindërit si i lënë mbetjet rrugëve”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Shqipëria e pastër është prioritet i mandatit tonë. Të gjithë këto mbeturina nuk i ka sjellë një forcë e mbinatyrshme, nuk janë as mbetje arkeologjike, por ndotje e vazhdueshme e të gjithëve ne së bashku. Sikur secili të mos e hedh shishen plastike në rrugë apo të mos i lirë mbeturinat këtu dhe t’i marrë me vete, atëherë ne nuk do të turpëroheshim të gjithë nga ky vend i mrekullueshëm që na e ka falur natyra”.

“Sikur secili atë shishen plastike që zbraz teksa shkon me makinë në anën tjetër të rrugës të mos e hedh, apo secili që vjen në hijen e pishave ti marr me vete ato mbetje që prodhon atëherë ne nuk do turpëroheshim të gjithë nga ky vend i mrekullueshëm që na i ka falur Zoti apo natyra, për ata që nuk besojnë në Zot, që na i kanë zili shumë por jemi ne arsyeja që lë një shije shumë të hidhur edhe tek ata që e vizitojnë”, theksoi Rama.

Më tej Rama u shpreh se “më bën shumë përshtypje duke qenë se ndjek vazhdimisht qytetarët e përfshirë në rrjetet sociale kur vjen puna për të bërë komente të gjithë janë ambientalistë, por kur mendoj se sa pak nga ata që komentojnë janë ambientalistë  jo vetëm në fjalë por edhe në sjellje atëherë them se atëherë duhet gjithkush të kthehet nga vetja sepse të jesh patriot nuk do të thotë të jesh gati të zbrazësh pushkë në facebook as të jesh gati të luftosh për atdheun duke komentuar nga kafeneja apo shtëpia, të jesh patriot do të thotë të mbash pastër vendin tënd, atdheun tënd, të mos i gërvishtësh fytyrën atdheut tënd”.

“Ky plan është një plan që buron nga shumë mësime të këtyre viteve, situata kudo edhe këtu, ka qenë shumë më keq disa vite me pare, por është shumë keq si duhet të ishte dhe si duhet të jetë Shqipëria  që pretendon bazuar në të gjithë ato që i ka dhënë natyra e zoti të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ”kjo ndotje dëmton ekonominë kombëtare dhe mirëqenien e secilit jo vetëm për shkak të turizmit, por për të gjitha efektet zinxhir që ka ashtu sikurse dëmton edhe shëndetin”.