TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot sërish lidhur me protestën e pedagogëve të cilët kërkojnë rritje page.

Në një takim me fermerët në Gjegjan të Elbasanit, Rama u shpreh se, ” ndërkohë që pagat më shumë sesa të gjithëve në këtë periudhë kaq të vështirë i janë rritur pedagogëve të Universitetit. 7% ja ka rritur qeveria dhe 8% nga autonomia vendore, bëjnë 15%. Nuk ka pasur rritje 15% me gjithë dëshirën e madhe, dhe megjithëse nuk është dhe kjo ndonjë rritje e madhe absolutisht, por është një rritje domethënëse në këtë kohë, që nuk është një kohë normale, por është një kohë lufte. Asnjë kategori tjetër që kur ka filluar lufta”.

“Dhe një pjesë, që nuk janë shumica, po torollisin gjithë televizionet duke u përpjekur të çartallosin të gjitha mendjet e hutuara, ca nga stresi, e ca nga hallet e tjera, se medemek po shpërthen një tenxhere e madhe me presion”, theksoi Rama.

“Është për të ardhur keq realisht. Ndërkohë që pjesa më e madhe dërrmuese e pedagogëve janë në krye të detyrës siç ju takon dhe edhe ata kanë nuk diskutohet barrën e tyre të këtij halli të madh. Po ky hall i madh që ka rënë mbi botën dhe ne jemi pjesën e botës, mbi Evropën dhe ne jemi pjesë e Evropës, mbi Shqipërinë, mbi Elbasanin, mbi Gjegjanin dhe deri tek shtëpia e fundit, është një hall që vjen jashtë vullnetit tonë. Siç erdhi jashtë vullnetit tonë tërmeti, siç erdhi jashtë vullnetit tonë pandemia. Ne i përballuam. Dhe duhet ta përballojmë patjetër dhe këtë dhe do ta përballojmë. Dhe faktet thonë se po e përballojmë”, tha Rama.