Kryeministri Edi Rama ka pritur në kryeministri presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilave (FIA), Mohammed Ben Sulayem. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe Blendi Gonxhja dhe Gledian Llatja.  Duke publikuar disa foto prej takimit, Rama shkruan se kishte diskutuar me Sulayem për projektin e madh të Automoto Parkut të Elbasanit.

 

Kreu i qeverisë shkruan më tej se ky projekt do t’i japë Shqipërisë zhvillim të mëtejshëm në ekonomi dhe turizëm.

 

“Me Presidentin e FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, ku u përqëndruam tek projekti i madh i Automoto Parkut të Elbasanit, që do t’i japë Shqipërisë një tjetër motor të ri të ekonomisë dhe turizmit, përfshirë edhe Formulën 1 e gara të tjera ndërkombëtare të motorizmit”- shkruan Rama.

Auto Moto Park i cili ndodhet në Krastë të Elbasanit, sipas Ramës nuk ka për qëllim vetëm argëtimin, por do të krijojë dhjetra vende të reja pune dhe do të ndryshojë tërësisht zonën përreth pasi pritet të organizohen edhe gara ndërkombëtare përfshirë Formula 1 dhe gara të tjera të motorizmit.