ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama komentoi sot vendosjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, të cilën e cilësoi shfaqjen më të pabesueshme të politikës së brendshme.
Rama mori pjesë sot në panelin e diskutimit mbi Ballkanin “Open Roads: Balkans Back in Business”, që po zhvillohet në Sllovaki.
Duke folur për situatën në veriun e Kosovës dhe vendosjen e ushtrisë serbe në kufi, Rama tha se ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero.
“Është njësoj sikur ushtria meksikane të shfaqej në kufi me SHBA-në, çfarë do të bëhej. Çfarë mund të bëjë? Asnjë gjë, absolutisht asnjë gjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Ka shumë lidhje me politikën e brendshme dhe me ato që ndodhin në kufirin me Kosovën”, tha Rama.
Rama kujtoi se situata mes dy vendeve 10 apo 20 vite më parë ishte në gjendje shumë të vështirë.
“Le t’i marrim gjërat në perspektivë. Për fat të keq para se të vijë vera kemi gjithmonë problem në pjesën veriore të Kosovës. Nuk e di pse ndodh gjithmonë në verë, ndoshta sepse Kosova me Serbinë nuk kanë det dhe kokat nxehen. Por ku ishim 20 apo 10 vjet më parë? Ishim në një gjendje shumë më të vështirë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot Ballkani Perëndimor është në pozitën e vet më të mirë.
“Edhe midis Kosovës dhe Serbisë gjërat nuk kanë qenë më mirë sepse janë vetëm një hap larg mbylljes së një marrëveshjeje historike. Tani të dyja palët kanë një lloj hezitimi sepse e shikojnë se kjo do të realizohet dhe nuk do të duhet më ta luftojnë njëra-tjetrën. Ndoshta kjo shkon kundër inercisë së tyre, të nevojës për të luftuar. Kjo është perspektiva. Është më mirë se çdo kohë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se konflikti në veriun e Kosovës ka një arsye, e cila mund të ishte shmangur krejtësisht.
“Në këndvështrimin tim nuk është tregues i problemeve konkrete. Ka kryetarë komunash të zgjedhur me 1% të popullsisë, ndërkohë që 99% e komunitetit aty nuk kanë votuar e ndihen të papërfaqësuar, por thelbi është që ka një marrëveshje që duhet përmbyllur, njohja reciproke që është diçka e jashtëzakonshme dhe ka një hezitim për të arritur këtë marrëveshje që prodhon këto situata”, shtoi Rama.