ATSH-Maela Marini/ Flota e autoambulancave të Urgjencës Kombëtare Mjekësore u zgjerua sot me 20 autoambulanca të reja, të pajisura me aparaturat më të fundit jetëshpëtuese.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj panë sot nga afër flotën e re të autoambulancave që do të shpërndahen në gjithë vendin.

Rama tha se “vazhdojnë investimet për fuqizimin e Urgjencës Kombëtare, me zgjerimin e flotës në territor me 20 autoambulanca të reja, si edhe për modernizimin Spitalit të Traumës, të cilin ndërhyrjet e reja do ta ngrenë në nivelin më të lartë bashkëkohor”.

Ndërsa ministrja Manastirliu theksoi se “flota e re e autoambulancave që sapo ka mbërritur është një investim prej 1.4 milionë euro”.

“Janë më janë 20 autoambulanca të reja të pajisura me të gjithë aparaturat jetëshpëtuese. Tashmë kanë mbërritur për të fuqizuar akoma më shumë sistemin e shërbimit të Urgjencës Kombëtare dhe sigurisht edhe në përpjekjen për të përballuar impaktin e COVID-19”, tha ajo.

Manastirliu u shpreh se “kjo flotë e re do të shpërndahet në gjithë vendin ku kemi pasur problematika në raport me thirrjet”.

Aktualisht, ajo tha se kemi pasur më shumë se 140 mijë misione të realizuara nga të gjitha strukturat e spitaleve të koordinuara nga Urgjenca Mjekësore.

“Rreth 50% e këtyre misioneve janë në Tiranë, ndaj edhe një pjesë e kësaj flote do të shkojë për të rritur mbulesën e vendqëndrimeve në Tiranë, ku nga 12 do të jenë 15 poststacione. Gjithashtu do të ketë edhe një miniflotë rezervë për të gjithë rastet e urgjencës dhe emergjencës”, tha ajo.

Manastirliu informoi se “kemi më shumë se 100 autoambulanca të investuara dhe bashkë me autoambulancat në të gjithë strukturat e qendrave shëndetësore janë mbi 250 të tilla, ndërkohë që janë 127 janë poststacione që organizohen për të pritur të gjitha thirrjet”.

“Këto nuk janë vetëm ambulanca, nuk janë vetëm struktura që transportojnë pacientin, por janë minireanimacione të pajisura me ventilator, ku mund të transportohet edhe pacienti i intubuar”, tha ajo.