Numri i grave të vrara nga bashkëshortët apo familjarët e tyre në botë ishte 51,100 vitin e kaluar, njoftoi të hënën agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë në raportin e përvitshëm që dokumenton dhunën ndaj gruas.

 

 

Sipas kësaj organizate, në mbarë botën, mesatarisht 140 gra dhe vajza janë vrarë çdo ditë nga pjesëtarë të familjeve të tyre. Raporti thotë se 60 për qind e rreth 85,000 vrasjeve të grave këtë vit janë bërë me motive gjinore.

 

“Dhuna kundër grave dhe vajzave është forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut. Vrasjet me bazë gjinore të grave dhe vajzave janë forma më ekstreme e dhunës ndaj tyre dhe shpesh janë rezultat i formave të tjera të dhunës që ushtrohen ndaj tyre përbrenda shtëpive të tyre”, thuhet në raport.

 

 

“Provat tregojnë se është bërë shumë pak përparim”, shtohet në raport.

 

Numri më i madh i viktimave u shënua në Afrikë, me 21,700 raste dhe në Azi 18,500 raste. Në kontinentin amerikan ky numër është 8,300 ndërsa në Evropë 2,300 gra janë vrarë gjatë vitit 2023, sipas raportit të përpiluar nga UN Women dhe UNODC, organizata e OKB-së që merret me dokumentimin e krimeve. Në Oqeani, ky numër arrin në 300.tch