ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kosovë me homologun Albin Kurti se, manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës, nuk mbrojnë në fakt qytetarët serb në veriun e Kosovës, të cilët jetojnë të pakërcënuar nga askush.

Fillimisht, Rama tha se “më vjen fort mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas përfundimit të sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku çështja e njohjes përfundimtare të Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës sonë në Nju Jork dhe mbetet e tillë”.

“Po ashtu një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të pakthyeshëm të Kosovës, si përmbyllje e natyrshme edhe formalisht e kapitullit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk ka asnjë diskutim që në radhë të parë dhe mbi të gjitha është Serbia që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm”.

“Është vërtetë për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut dhe të njohjes reciproke dhe çlirimit përfundimtar nga e shkuara, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë në fakt qytetarët serb në veriun e Kosovës, sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë, që sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serb në Kosovë”, tha Rama.

Në fakt, vijoi ai, “qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje ju paguhen dhe faturat e energjisë elektrike nga ky shtet këtu, si askujt askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”.

“Dhe fatkeqësisht ato manovra risjellin në skenë hijet e së shkuarës dhe nxisin nacionalizmin vandal të zjarrvënësve të institucioneve publike që janë institucione për t’u shërbyer pikërisht atyre qytetarëve serb, të cilët nuk janë viktima të ndonjë represioni shtetëror apo persekutimi me sfond etnik, por janë pengje të stanjacionit në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se “aplikimi i reciprocitetit të targave të përkohshme është jo vetëm një normë elementare e të drejtës legjitime të shtetit të Kosovës, por është edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes të dyja qeverive respektive”.

“Dua ta them edhe këtu sot qëndrimin e Republikës së Shqipërisë të cilin e gjykoj të qartë, të drejtë dhe që mbetet i pandryshuar qysh nga çasti i parë që u shfaq ky konflikt. E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Nuk është me Serbinë. Dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë që t’i kthej targat e automjeteve të përdorimit të përditshëm në një përditshmëri konfliktuale ku mizën e bën buall a thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë, ku në fakt thjesht po kërkon zbatimin e një marrëveshjeje reciprokisht të dakordësuar”, tha Rama.

(vjon)