Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, ka reaguar ndaj qëndrimeve të opozitës për raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Elisa Spiropali: Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, miratoi dje Raportin për Shqipërinë, i cili analizon situatën dhe progresin tonë në rrugën drejt integrimit europian, për vitet 2023 dhe 2024.

Raporti, i hartuar nga Raporteri për Shqipërinë, Andreas Schieder, të cilit i shpreh mirënjohjen për punën serioze e rezultative, u miratua me 57 vota pro, 11 kundër, 6 abstenime dhe do t’i paraqitet për votim një seancës plenare të Parlamentit Europian, në muajin korrik.

Mirënjohje eurodeputetëve për mbështetjen e qartë të anvancimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Dje, Parlamenti Europian konfimoi edhe një herë se Shqipëria mbetet një histori suksesi, një vend pararojë për anëtarësimin dhe një shembull në rajon.

Raporti nënvizon qartësisht angazhimin e qëndrueshëm të Shqipërisë ndaj reformave kyçe, përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës, funksionimin e institucioneve të drejtësisë të dala nga reforma, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të pakicave, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Eurodeputetët mirëpresin konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE, linjëzimin e plotë, të vazhduar e besnik të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Eurodeputetët vlerësojnë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, mbështetjen e palëkundur për politikën e jashtme të BE-së, dhe përkushtimin në menaxhimin e sfidave të përbashkëta si migracioni, siguria kibernetike dhe energjia.

Ishte shumë e rëndësishme dhe shumë inkurajuese që eurodeputetët përshëndetën objektivin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Ishte fakt domethënës që në atë seancë ishin të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si nga shumica ashtu edhe nga opozita, çka u përmend edhe nga drejtuesi i Komitetit si një shenjë e vëmendjes së veçantë të Kuvendit për një proces që vetë ne e kemi përcaktuar si jetik për vendin tonë.

E shoh këtë edhe si dëshmi e një të vërtete të gjithëpranuar në Shqipëri, se pavarësisht ndasive ideologjike e pikëpamjeve të ndryshme mbi modelin zhvillimor të vendit, kur vjen puna për integrimin në BE, Kuvendi ka një qëndrim të përbashkët dhe kjo mbetet një prioritet kombëtar që tejkalon ndarjet politike.

Kjo është një vlerë që ne duhet ta mbajmë e forcojmë në të mirën e përbashkët, në shërbim të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Angazhimi ynë në këtë proces nuk është thjesht politik apo elektoral, por një kalendar pune skrupuloz, i mirëmenduar, i dakordësuar me Komisionin Europian, i cili është mandatuar nga Këshilli i BE-së për të negociuar me ne, për të udhëtuar së bashku, me përgjegjësi e profesionalizëm, drejt anëtarësimit të Shqipërisë në familjen tonë natyrale europiane.

Raporti thekson nevojën e përshpejtimit të reformave për të forcuar institucionet demokratike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe për të forcuar e garantuar plotësisht lirinë e medias.

Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë dhe me institucionet qëndrore, por me çdo qelizë të pushtetit, përfshirë atë vendor, shoqërinë civile, sipërmarrjen, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë, pra në një sens kuptimplotë, çdo qytetar të këtij vendi.

Në asnjë vend kandidat për BE mbështetja popullore nuk është kaq masive sa në Shqipëri, e dëshiruar dhe, duhet të themi edhe e merituar, nga 95 përqind e qytetarëve shqiptarë.

Asnjë vend tjetër kandidat nuk e ka shpallur qartë dhe pa asnjë ekuivok Bashkimin Europian si destinacioni i natyrshëm dhe i vetëm i të ardhmes.

Raporti nënvizon një sërë sfidash për të cilat jemi të ndërgjegjshëm dhe duhet t’i adresojmë sa më shpejt e sa më përshtatshmërisht, përfshirë polarizimin politik, retorikat konfrontuese dhe nevojën për një dialog më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik.

Në këtë kuptim, roli dhe përgjegjësia e Kuvendit është e padiskutueshme dhe parësore. Dhe kjo është një ndër arsyet që jam këtu para jush.

Më lejoni tani të ndaj me ju dy aspekte që mendoj se meritojnë vëmendje të veçantë.

Së pari, lidhur me një fenomen të cilin, edhe duke u përmbajtur, po e cilësoj një njollë të zezë në sjelljen dhe diskursin politik shqiptar.

Dënoj me forcë përpjekjet e atyre që nuk po lënë gjë pa bërë, gurë pa lëvizur dhe fjalë të zezë pa thënë për vendin e tyre. Dhe kjo vetëm e vetëm për t’i bishtnuar përgjegjësisë.

E kam fjalën për “misionarët” që pasi kanë nxirë emrin dhe fytyrën e tyre, pasi kanë shkatërruar gjithçka rreth vetes, janë rikthyer me vrull të paparë për të nxirë e prishur edhe emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Me hidhësinë e humbësit të keq dhe pandreqësinë që i karakterizon, janë sulur me vuxhyt të përdhosin emrin e Shqipërisë dhe të çdo shqiptari, brenda e jashtë vendit, të përdhosin reputacionin e tokës sonë të përbashkët me teori komploti, me akuza qesharake dhe absurde, me të pavërtetat e shpikura si nevojë e përpjekjes së fundit për mbijetesë politike.

Nuk besoj se ka kush nevojë për ilustrime, sepse e shohim përditë peligrinazhin absurd të udhëtimeve me një fletushkë nën sqetull, të hartuar në Tiranë e që u shitet shqiptarëve si rezolutë e kësaj apo asaj organizate, që në fakt është veçse trakti i fundit kundër Shqipërisë, progresit, imazhit dhe fytyrës së saj.

Por mbi tentativa e tilla të dëshpëruara dhe antikombëtare, qëndron Shqipëria fisnike, e punës dhe e përpjekjeve kombëtare për zhvillim e progres.

Qëndron Shqipëria europiane, e cila ka zhvilluar deri tani pesë Konferenca Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ka hapur negociatat për 4 grup-kapituj (Themelorët, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregu i Brendshëm, Konkurrueshmëria dhe Gjirthëpërfshirja) dhe po shqyrton me përfaqësuesit e Komisionit Europian një për një 24 kapituj.

Brenda muajit qershor pritet hapja e negociatave edhe për dy grup-kapitujt e tjerë, Agjenda e Gjelbër dhe Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni.

Qëndron Shqipëria që njohin dhe pranojnë si partnere të denjë dhe të barabartë institucionet europiane dhe qeveritë e vendeve europiane, Shqipëria e cila organizoi Samitin e Komunitetit Politik Europian në Ballkanin Perëndimor.

Qëndron Shqipëria, për të cilën Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola ka deklaruar mbështetjen e saj entuziaste për anëtarësim brenda vitit 2030.

Qëndron Shqipëria për të cilën Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka konfirmuar se është qartësisht më e përparuar se vendet e tjera dhe mund t’i bashkohet BE-së edhe para vitit 2030.

Qëndron Shqipëria për të cilën Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka vlerësuar se e ka përfunduar agjendën e reformave dhe në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbështetet nga Komisioni Europian me 920 milion euro.

Qëndron Shqipëria për të cilën Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos, dy ditë më parë është shprehur se brenda muajit qershor do të hapen negociatat për të gjithë kapitujt dhe, sipas projeksioneve, mbyllja e negociatave do të ndodhë brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi deri në vitin 2029.

Prandaj, rezoluta e miratuar, ajo që të gjithë ne duhet të lexojmë, është ajo që miratoi dje Parlamenti Europian, një nga strukturat e BE-së me të cilat po punojmë, po negocitojmë e me të cilat po mundohemi, ditë e natë të çojmë Shqipërinë në BE, dhe jo traktet e përkthyera nga shqip në anglisht.

Duhet të pranojmë se çdo vërejtje, parregullsi, ankesë, duhet të paraqiten e ta zgjidhin këtu, në përballje me institucionet që vetë kemi krijuar, me drejtësinë që vetë kemi reformuar, me rregullat e procedurat që vetë kemi miratuar. Ky është sovraniteti, kjo është aftësia për t’u përfshirë në BE.

Ndërsa miliona turistë nga e gjithë bota vërshojnë në Shqipëri për të shijuar bukuritë e vendit e mikpritjen e saj, turistët tanë politikë kanë vendosur të harxhojnë frymën politike për të bërë të kundërtën, në një marrëzi të pashoqe, kundër vendit, pra edhe kundër vetes. Fali, o Zot se nuk dinë ç’ bëjnë! Ndërkohë, vota e popullit nuk fal e nuk fali qs këtë radhë.
Ka edhe shumë për të thënë për këtë mynxyrë, por po ndalem këtu, për të theksuar thirrjen e hapur:

Ajo që kemi mësuar në tre dekadat 3 fundit është se punën dhe reformat do t’i bëjmë brenda vendit, miqtë dhe partnerët mund vetëm të na ndihmojnë, siç kanë bërë gjithnjë e do të vazhdojnë të bëjnë, pavarësisht tymit e helmit që nuk ia kursejmë Shqipërisë sonë.

Kantieret e mëdha të integrimit janë në Shqipëri, në transformimin që duhet të realizojmë në çdo sektor e në çdo standard, për t’u ndjerë ne çdo cep të vendit, në çdo shtëpi, lagje, komunë e bashki, dhe për këtë duhet të punojmë ne së pari, bashkë.

Prandaj, dua të ftoj të gjithë deputetët e kësaj legjislature dhe ata që do të hyjnë në Kuvend në shtator, të punojmë bashkë, me një synim madhor kombëtar, me më shumë transparencë, dialog e ndërveprim, në një bashkëbisedim të madh shoqëror lidhur me çfarë po bëjmë e çfarë duhet bërë, sepse ky është ushtrimi nga i cili nuk humbet askush e përfitojnë të gjithë. Dhe në këtë mision kombëtar, për ne nuk ka asnjë minutë për të humbur.

Shqiptarët vendosën më 11 maj ta kthejnë integrimin europian nga slogan i gjithëpranishëm, në një proces konkret e të prekshëm, në një realitet që duhet të ndihet çdo ditë e më shumë, dhe në këtë proces askush nuk është e nuk duhet të ndjehet i përjashtuar dhe kontributi i çdokujt është e do të jetë i mirëpritur.

Top Channel