Në Parkun Kombëtar të Prespës ka nisur censusi vjetor i shpendëve ujorë dimërues, një proces i rëndësishëm monitorimi që realizohet çdo vit për të vlerësuar gjendjen e biodiversitetit në këtë zonë të mbrojtur.

Gjatë vrojtimeve të fundit është vënë re prezenca e zhytarakut të madh (Mergus merganser), një specie e rrallë për liqenin e Prespës, si dhe prania e mjellmës, që tregon aktivitet të mirë të ekosistemit.

Gjithashtu, bajza ka shfaqur një prani më të madhe këtë dimër, për shkak të temperaturave gati optimale që kanë favorizuar qëndrimin e saj në zonë.

Ekspertët nënvizojnë rëndësinë e këtij censusi për të ndjekur trendet e popullatave, për të identifikuar specie të rralla dhe për të marrë masa për mbrojtjen e habitatit natyror, i cili mbetet një nga më të rëndësishmit në vend për shpendët ujorë dimërues.

Censusi do të vijojë nesër në Pogradec, ndërsa vrojtimet shtrihen në liqenet, ligatinat dhe habitatet e tjera të shpendëve dimërues në të gjithë vendin.

Top Channel