ATSH/ Në Lezhë nuk janë ndërprerë për asnjë moment investimet publike për një infrastrukturë të standardizuar dhe cilësi më të mirë jetese për banorët.

Investimi në qendrën e Rrilës, në Njesinë Administrative Shënkoll, është një prej ndërhyrjeve që ka transformuar jetën e komunitetit.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ishte sot pranë banorëve të kësaj zone, të cilët kanë tashmë realitet rrugët e brendshme të fshatit.

“Sot qendra e Rrilës në Njësinë Administrative Shënkoll është zgjuar me tjetër pamje. Rehabilitimi i rrugëve të brendshme të lagjes qendër është tashmë realitet dhe premtim i mbajtur para banorëve, të cilët të mësuar me premtime të parealizuara shpreheshin skeptikë. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, tha Ndreu.

Investimet në rrugë kanë qenë një prioritet i rëndësishëm i bashkisë së Lezhës përgjatë këtij viti, e cila ka shtrirë ndërhyrjet jo vetëm në rrugët brenda qytetit, por edhe në ato rurale.