Muhamed Abu Salmiya, drejtori i spitalit kryesor të rripit të Gazës tha se pacientët kanë ngelur pa ujë dhe oksigjen, pasi trupat izraelite kishin hedhur në erë linjën kryesore të ujit.

Drejtori tha se Al-Shifa ndodhet në kushte tragjike ku më shumë se 650 pacientë, 500 veta staf mjekësor dhe 5,000 njerëz janë zhvendosur deri tani. Nga ana tjetër sipas ushtrisë izraelite operacioni i saj kundër Hamasit do vazhdojë në mënyrë metodike dhe të plotë.

Një gazetar i bllokuar brenda spitalit, Khader, tha për BBC-në se trupat izraelite ishin kudo, duke qëlluar në të gjitha drejtimet.

“Operacionet snajper vazhdojnë, askush nuk mund të lëvizë nga një ndërtesë në tjetrën dhe ne kemi humbur komunikimin me kolegët tanë,” tha ai.

Khader shtoi se trupat izraelite kishin sulmuar të gjitha departamentet, duke shkatërruar pjesën jugore të murit të ndërtesës dhe dhjetëra makina.

Ministria e shëndetësisë e Gazës e kontrolluar nga Hamasi raporton se buldozerët izraelitë “shkatërruan pjesë të hyrjes jugore” të kompleksit mjekësor.

Izraeli nisi një fushatë të madhe ushtarake në Rripin e Gazës për të shkatërruar Hamasin si hakmarrje për sulmin ndërkufitar të 7 tetorit nga qindra persona të armatosur. Izraeli e konsideron Hamasin një grup terrorist, ashtu si Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Të paktën 1200 njerëz u vranë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit dhe rreth 240 të tjerë u morën peng. Që kur Izraeli filloi kundërsulmin e tij, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se të paktën 11,400 njerëz janë vrarë në territor dhe OKB-ja ka paralajmëruar për një “katastrofë humanitare”.

Top Channel