Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në kryeministri, Rama tha se “sot jemi këtu për të nderuar një mik në ditë të vështira, i cili me shumë përkushtim na ka ndihmuar në mënyrë të pakursyer për të shpëtuar fëmijë dhe gra fatkeqe nga kthetrat e ferrit në kampet e luftës në Siri”.

“Siç thoshte poetja amerikane Maya Angelou, ‘hero është ai që ka si qëllim ta bëjë botën një vend më të mirë për të gjithë’. Nuk ka përshkrim më të saktë për gjeneralin që unë dua ta falënderoj për ardhjen e tij, se sa fjalët e poetes”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në operacionet e zhvilluara në 3 vitet e fundit, ku plot fëmijë e gra janë nxjerrë nga ferri i Al Hawl, por jo vetëm, gjenerali Ibrahim ka qenë pika jonë e referimit, ka qenë krahu ynë i zgjatur drejt atyre fëmijëve e grave, më i papërtuari, i pakursyeri dhe pa asnjë interes tjetër veç interesit human për të nxjerrë nga ferri njerëz fatkeq”.

“Besoj se ju kujtohet të gjithëve operacioni i jashtëzakonshëm për shpëtimin e Alvinit, djalit që u bë simbol i solidaritetit dhe thirrjeve për ta shpëtuar. Ai operacion u kurorëzua me sukses falë gjeneral Ibrahimit, që e kemi sot këtu për ta nderuar me mirënjohjen tonë. Po ashtu, shpëtimi i 5 fëmijëve të tjerë më pas dhe më pas i 14 fëmijëve dhe 5 nënave, ndërsa sot e gjithë ditën përpjekjet që vazhdojnë për të nxjerrë edhe pengun e fundit nga ai ferr, lidhen me emrin e gjeneralit Ibrahim”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se janë zhvilluar operacione njëri më i vështirë se tjetri, me problematika jashtëzakonisht komplekse që shfaqen në terren nga grupet e rrezikshme që qarkullojnë në ato territore.

“Sidoqoftë, përtej këtyre vështirësive shumë fëmijë të tjerë marrin frymë lirisht në atdheun e tyre, bëjnë një jetë të sigurt e të shëndetshme pranë familjarëve të tyre, falë dikujt që më shumë se sa një prind, që për fat të keq në rastin e tyre ishte shkaktari i çuarjes në atë ferr, nuk u dorëzua deri në fund, deri kur personalisht i përcolli në derën e avionit. Gjenerali mishëron gjithë bujarinë, mirësjelljen, kulturën e vendit të tij. Përmes punës së tij të përditshme ndan jo vetëm me bashkësinë në Liban, por me të gjithë një mesazh të fortë humanizmi, lirie dhe të drejtash të çdo njeriu pa dallim feje, krahine, vendi dhe ideje”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “operacionet e zhvilluara me sukses me mbështetjen e pakursyer të Gjeneralit e kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë gjithë opinionin tonë publik të kuptoj se sa e verbër është rruga që ndoqën baballarë të qorruar nga ekstremizmi, që morën në qafë familjen dhe fëmijët e tyre. Sot më shumë se kurrë njerëzit e kanë shumë të qartë absurditetin, pakuptueshmërinë dhe realisht aspektin çnjerëzor të futjes në rrugën e ekstremizmit”, tha Rama.

Duke iu referuar të dhënave mbi të cilat punon qeveria, të cilat janë relative, Kryeministri theksoi se “sot, ne kemi nxjerrë prej andej më shumë se sa gjysmën e personave”.

“Vazhdon përpjekja ashtu sikundër janë rritur dhe vështirësitë. Situata në kampe është shumë e paqëndrueshme. Nuk bëhet fjalë për të negociuar me një aktor të vetëm, por për të negociuar me shumë aktorë, njëri më i rrezikshëm se tjetri”, tha Rama.

Ai falënderoi me gjithë zemër gjeneralin për kurajon që na ka dhënë në marrjen e zotimit për të shpëtuar gjithë ata fëmijë dhe sigurinë që na ka dhënë se mund ta mbajmë zotimin.

“E falënderoj se ka krijuar kushte optimale për sigurinë fizike të personelit shqiptar të angazhuar në Liban apo penetrimet brenda territorit të Sirisë. Po ashtu edhe me ofrimin e të gjitha burimeve logjistike për të asistuar operacion, dhe kapacitetin e tij ndikues me aktorët e tjerë politikë me ndonjë prej të cilëve ne nuk kemi asnjë mundësi komunikimi”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se kjo ka sjellë që edhe marrëdhëniet tona me Libanin të marrin një përmasë miqësore të rëndësishme.

“Ne kemi hapur konsullatën në Bejrut, kontribut që vjen pa asnjë ngarkesë për shtetin shqiptar por nga Marc I. Ghorayeb, konsull i Përgjithshëm Nderi i Shqipërisë në Liban, i cili ka meritë të jashtëzakonshme pasi na prezantoi gjeneralin Abass Ibrahim. Kështu është krijuar ky zinxhir miqësie e solidariteti që i bashkon diçka që shkon përtej politikës, kufijve, gjeografisë, qëllimi i të bërit të botës një vend më të mirë me kredon e Profetit Muhamed, i cili thotë ‘kush shpëton një njeri, ka shpëtuar gjithë njerëzimin’. Gjej rastin ta falënderoj dhe konsullin me shumë respekt dhe miqësi”, tha Rama.

Duke iu drejtuar gjeneralit Ibrahim, Rama tha se “fjalët nuk mjaftojnë asnjëherë për të shpërblyer veprën tuaj”.