/ATSH/ Rigjallërimi i transportit ajror po ndihet prej disa kohësh dhe pritet që në vazhdim, ky sektor t’i kthehet normalitetit duke qenë se edhe një pjesë e mirë shumë shteteve, po heqin kufizimet e lëvizjes për Shqipërinë.

INSTAT bën të ditur se, në muajin maj 2021, numri i fluturimeve të kryera është 1.610 duke u rritur 7,3 herë në krahasim me maj 2020. Krahasuar me mesataren e muajve maj për periudhën 2018-2020, numri i fluturimeve është rritur me 3,6%.

Statistikat tregojnë se rritje ka shënuar edhe numri i udhëtarëve, që kanë përdorur transportin ajror.

“Në muajin maj 2021, transporti ajror i pasagjerëve zë 80,5% të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Maj 2021 është 152.842 pasagjerë duke u rritur 21,9 herë, krahasuar me Maj 2020. Krahasuar me mesataren e muajve Maj për periudhën 2018-2020, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është ulur me 4,0%”- thekson INSTAT.

Ndërsa në 5-mujorin e parë të vitit 2021, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është 495.646 pasagjerë duke u ulur me 5,9%, krahasuar me 5-mujorin e parë të vitit 2020.

Gjithashtu vëren INSTAT, rritje ka shënuar edhe numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare.

Për muajin maj 2021 shënoi 36.406 pasagjerë. Krahasuar me maj 2020, ky tregues është rritur 6,2 herë. Krahasuar me mesataren e muajve maj për periudhën 2018-2020, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është ulur me 50,3%.

Në 5-mujorin e parë të vitit 2021, kanë udhëtuar me linjë detare 155.121 pasagjerë, duke u rritur me 15,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. /a.a/