ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, inspektuan sot punimet që po kryhen për rikonstruksionin e terreneve sportive në fshatin Plug, në Lushnjë.

Balla tha se ky terren sportiv ishte lënë në harresë prej shumë kohësh dhe më në fund falë investimit të Bashkisë do t’i kthehet sportistëve të klubeve të futbollit dhe sportdashësve të zonës.

“Bashkë me Kryetaren e Bashkisë jemi sot në Plug, ku një prej ambienteve sportive që ka pasur një traditë, por që ishte lënë në harresë tashmë do t’i rikthehet jo vetëm sportistëve të klubeve të futbollit të Lushnjes, por do t’i kthehet dhe sportdashësve të këaj zone, sepse kjo është një zonë që ka pasur traditë futbollin”, tha Balla.

Sipas tij, “kjo është një fazë e ndërmjetme sepse synohet që këtu të zhvillojë fazën përgatitore ekipi i Lushnjes”.

“Ndërkohë që faza tjetër, që është më e rëndësishmja, është transformimi total i ambienteve sportive të stadiumit “Roza Haxhiu”, i cili është një prej stadiumeve me emër po të kemi parasysh faktin që Lushnja gjithmonë ka pasur ekipe futbolli me pretendime, por ka dhe një traditë të zhvilluar ndër vite”, tha Balla.

Sipas tij, “ky është një ambient sportive që do t’i shërbejë dhe moshave të reja, sepse ajo që unë mendoj dhe që ka një vlerë, është që ne duhet të fokusohemi tek sporti si një instrument që tërheq të rinjtë nga veset”.

“Ne duhet të punojmë me shkollat që këtë ambient sportiv që do të jetë me bar sintetik të kemi mundësi ta kemi një atraksion për të rinjtë, që të ikin nga veset dhe të vijnë të luajnë futboll”, dekalroi Balla.