ATSH/ Shfaqja me kukulla “Zemërimi i shkronjave” rikthehet në skenë pas 40 vitesh.

Projekti “Marjonetat e Trashëgimisë” dhe Teatri i Kukullave kanë bashkuar forcat për këtë rivënie në skenë.

“Zemërimi i shkronjave” është një shfaqje teatrale për fëmijë e njohur në Shqipërinë e viteve ’80. Përveç anës argëtuese shfaqja përdorej edhe si mjet edukativ në kopshte dhe shkolla fillore, pasi edukonte fëmijët për të folur saktë dhe bukur gjuhën shqipe. Ajo kombinon elementë të gjuhës shqipe me humor dhe mesazhe të rëndësishme për fëmijët.

Personazhe të veprës janë shkronjat e alfabetit shqip të cilat zemërohen sepse nuk respektohen, nuk përdoren si duhet ose harrohen nga fëmijët. Përmes dialogëve komikë dhe skenave të gjalla, shfaqja ndërton një histori ku fëmijët mësojnë rëndësinë e gjuhës, të lexuarit dhe të shkrimit korrekt.

Më 19 shtator, në Teatrin e Kukullave, fëmijët mbi 5 vjeç dhe prindërit që kanë nostalgji për këtë shfaqje të paharrueshme, do të mund të shijojnë premierën.

Me përshtatjen e tekstit dhe regjinë e Endri Çelës, kjo vepër e dashur do të vijë në skenë e rijetëzuar si pjesë e programit “EU4CULTURE”, financuar nga Bashkimi Europian dhe realizuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në një postim online të drejtoreshës së Teatrit të Kukullave, Melsi Qirici, thuhet se aktualisht po zhvillohen provat e tavolinës dhe se ekipi po punon me përkushtim për të risjellë nga arkivat këtë xhevahir, me një qasje të re për fëmijët e brezit të sotëm.