Bashkia e Elbasan është në fazën përmbyllëse të një projekti tjetër me ndikim në komunitet, që synon transformimin e hapësirave mes pallateve në lagjen “5 Maji”, konkretisht përgjatë rrugëve “Aleks Buda” dhe “Marije Dhamo”.
Ky investim është ideuar dhe zbatuar në bazë të kërkesave të vetë banorëve, përmes nismës Buxhetimi me Pjesëmarrje, duke sjellë një model bashkëpunimi mes qytetarëve dhe pushtetit vendor.
Ndërhyrjet kanë për qëllim rikualifikimin e hapësirave të përbashkëta, duke i kthyer ato në ambiente më të aksesueshme, funksionale dhe të sigurta për komunitetin. Rreth 2 mijë banorë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky projekt.
Paralelisht, ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e vlerës së pronave dhe në nxitjen e jetës ekonomike në zonë, duke e bërë lagjen më tërheqëse për banim dhe aktivitete.
Bashkia e Elbasanit thekson se projekte të tilla do të vijojnë, me fokus përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në çdo lagje të qytetit.


























