/ATSH/ Numri i kompanive që operojnë në sektorin e ndërtimit shënoi një rritje prej 7% gjatë vitit 2020, një ndër vitet më të vështira për shkak të goditjeve të njëpasnjëshme të ekonomisë, tërmeti i 2019-s dhe pandemia.
Në vitin “pandemik”, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, u shtuan 334 kompani të reja duke kryesuar edhe rritjen në të gjithë aktivitetet e tjera ekonomike, përveç bujqësisë.
Gjithsej në sektorin e ndërtimit operuan 5060 kompani gjatë vitit 2020.
Rindërtimi pas tërmetit, por edhe punët publike janë faktorët kryesorë që çuan në shtimin e kompanive. Qeveria ka rritur investimet publike duke i çuar ato në 7,2% të PBB-së këtë vit.
Vetëm në procesin e rindërtimit për ndërtimin e infrastrukturës, shkollave, banesave individuale, ndërtimin e pallateve dhe objektet e trashëgimisë kulturore janë angazhuar rreth 470 kompani dhe më shumë se 25 mijë punëtorë. /j.p


























