TIRANË, 4 maj/ ATSH- A. Fortuzi/-Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur të hënën kopshtin në Babrru, që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar.
IKMT, në kuadër të fazës së rindërtimit, që prej datës 23 prill ka nisur punën për shembjen e godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, sipas vlerësimit të bërë nga grupet e inspektimit. IKMT ka shtrirë punën e saj në 5 bashki të vendit, Vorë, Kamëz, Shijak, Kavajë dhe Krujë. Në ditën e parë të punë, IKMT nisi shembjen 3 shkollave në Shijak dhe 1 në Kamëz, ndërsa më tej puna u shtri në të 5-ta bashkitë, sipas planit.
Të gjitha bashkitë e përfshira në qarqet e prekura nga tërmeti kanë hartuar kalendarët me afatet e prishjeve të objekteve të dëmtuara. Së pari, janë objektet shkollore duke vijuar me objektet individuale apo kolektive si dhe të objekteve të tjera publike si qendra e kulturës në këtë rast. Njësia zbatuese që do të ndjekë punimet është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa investimi është prej programit të rindërtimit. /a.a/