Këshilli i Ministrave miratoi fondin për shpronësimin e pronarëve të pasurisë private që do të preken nga realizimi i projektit të “Rivitalizimit dhe Rikonstruksionit të Tregut Fruta–Perime” në lagjen “Kongresi i Elbasanit”.
Në mbështetje të legjislacionit në fuqi, vendimi parashikon shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 1.41 milionë lekë, kompensimi i të cilëve do të bëhet nga buxheti i Bashkisë Elbasan. Shpronësimi do të nisë menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të përfundojë brenda 3 muajve. Bashkia Elbasan është autoriteti që kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan do të kryhen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Vendimi i plotë:
V E N D I M
PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIVITALIZIMI DHE RIKONSTRUKSIONI I TREGUT FRUTA – PERIME NË LAGJEN “KONGRESI I ELBASANIT”, NË ZONËN KADASTRALE 8521”, BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rivitalizimi dhe rikonstruksioni i tregut fruta – perime në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në zonën kadastrale 8521”, Bashkia Elbasan.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme, prej 1 410 660.46 (një milion e katërqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë pikë dyzet e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 410 660.46 (një milion e katërqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë pikë dyzet e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.
8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.atsh