Nuk ka ditë që Gasperini nuk ngre në qiell cilësitë e tij teknike dhe e cilëson si pikë referimi të Romës. ‘Nuk heq dorë nga Dybala, askush te Roma nuk i ka cilësitë e tij. Nëse nuk dëmtohet ai luan gjithmonë’-kanë qenë fjalët e trajnerit për argjentinasin, e ardhmja e të cilit gjithsesi mbetet një rebus.

Kontrata e Paulo Dybalës skadon në muajin qershor, por asgjë nuk përjashtohet; as mundësia që ai të qëndrojë te verdhekuqtë me një pagë të përgjysmuar, siç theksohet te e përditshmja italiane ‘Corriere Della Sera’. Ndërkaq nga Argjentina kanë dalë lajmet se përfaqësuesit e futbollistit kanë nisur punën për zgjidhjen e kontratës me Romën që në muajin  janar për të shkuar te Boca Juniors ku është edhe miku i Dybalas, Leandro Paredes. Por përpjekje për   yllin e Romës kanë bërë edhe klube italiane.

Gjithnjë sipas ‘Corriere Della Sera’ një sondazh për Dybalën ka bërë edhe Como e Cesc Fabregas që synon rritjen e mëtejshme të cilësisë së skuadrës së tij. Ndërsa jashtë Italisë, janë Monaco dhe Benfica që kanë trokitur në dyert e Drejtorit sportiv të Romës, Ricky Massara. Por Roma beson te Dybala për të fituar një vend në Ligën e Kampioneve dhe për të tentuar fitoren e Europa League, kështu që diskutimet për të me shumë mundësi do të shtyhen për në muajin qershor. ‘Italia do të jetë gjithnjë diçka speciale për mua dhe nuk e di edhe përsa kohë do të qëndroj këtu, por do ta shijoj deri në fund’-është shprehur Dybala përpara pak ditësh me argjentinasin që pas një muaji do të bëhet baba në kryeqytet dhe kushedi, mbase ky event do të ndihmojë atë të ketë ende një të ardhme verdhekuqe.

Top Channel