ATSH/- Papa Leone XIV tha se nuk duhet të ketë tolerancë në Kishën Katolike për asnjë lloj abuzimi – seksual, shpirtëror apo abuzim me autoritetin – ndërsa bëri thirrje për procese transparente për të krijuar një kulturë parandalimi në të gjithë kishën, sipas AP.

Deklarata e Papa Leone ishte një reagim ndaj skandalit të abuzimit seksual të klerit në një mesazh me shkrim drejtuar një gazetareje peruane – e cila dokumentoi një rast veçanërisht të shëmtuar abuzimi dhe korrupsioni financiar në “Sodalitium Christianae Vitae” – Shoqëria e Jetës Apostolike të së Drejtës Papnore brenda Kishës Katolike, e themeluar në Lima, Peru, nga Luis Fernando Figari më 8 dhjetor 1971.

Mesazhi u lexua me zë të lartë të premten në mbrëmje në Lima – të bazuar në skandalin e “Sodalitium Christianae Vitae” dhe punën e gazetares, Paola Ugaz.

“Është urgjente të rrënjoset në të gjithë kishën një kulturë parandalimi që nuk duhet të tolerohet asnjë formë abuzimi – as të pushtetit apo autoritetit, as abuzimit të ndërgjegjes, abuzimit shpirtëror apo seksual”, tha Papa Leone.

“Kjo kulturë do të jetë autentike vetëm nëse lind nga vigjilenca aktive, nga proceset transparente dhe dëgjimi i sinqertë i atyre që janë lënduar. Për këtë, ne kemi nevojë për gazetarë”, shtoi ai.

Papa Leone është shumë i vetëdijshëm për skandalin e “Sodalitium Christianae Vitae”, pasi ai kaloi dy dekada si prift misionar dhe peshkop në Peru – ku grupi u themelua në vitin 1971.

Ipeshkvi i atëhershëm, Robert Prevost ishte përgjegjës për dëgjimin e viktimave të “Sodalitium Christianae Vitae”- si personi i kontaktit të peshkopëve peruanë për viktimat e abuzimit dhe ndihmoi disa prej tyre të arrinin marrëveshje financiare me organizatën.

Pasi Papa Françesku e solli atë në Vatikan në vitin 2023, Prevost ndihmoi në shpërbërjen e plotë të grupit duke mbikëqyrur dorëheqjen e një peshkopi të fuqishëm të “Sodalitium Christianae Vitae”.

Kjo lëvizje u shtyp zyrtarisht në fillim të këtij viti, pak kohë para se të vdiste Papa Françesku.

Tani si papë, Leone duhet të mbikëqyrë shpërbërjen e “Sodalitium Christianae Vitae” dhe aseteve të tij të konsiderueshme.

I dërguari i Vatikanit në terren që merret me punën, Monsinjor Jordi Bertomeu, lexoi mesazhin e Papa Leone të premten në mbrëmje.

Në mesazh, Papa Leone gjithashtu vlerësoi gazetarët për guximin e tyre dhe kërkoi që autoritetet publike t’i mbronin ata.

“Një shtyp i lirë është një e mirë e përbashkët nga e cila nuk mund të hiqet dorë”, tha Papa Leone.

Skandali i abuzimit është një nga dosjet më të vështira me të cilat përballet Papa Leone -veçanërisht duke pasur parasysh kërkesat e të mbijetuarve – për të vazhduar më tej me zbatimin e një tolerance zero për abuzimin në të gjithë kishën, përfshirë abuzuesit. //a.i/