ATSH/ Për herë të parë këtë vit do të duhet të plotësojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave brenda 30 qershorit edhe personat që kanë qenë të punësuar në 2 apo më shumë punë, pavarësisht se totali i të ardhurave është nën 2 milionë lekë në vit.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në total llogaritet të jenë rreth 64 mijë persona që janë të dy apo më shumë punësuar.

Ndërkohë, pritet që nga kjo kategori të mblidhen në buxhet rreth 900 milionë lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Për shkak të pandemisë së COVID-19 Administrata Tatimore propozoi shtyrjen e afatit të deklarimit të të ardhurave vjetore nga data 30 prill në datën 30 qershor.

Referuar ligjit, kanë detyrimin për të plotësuar DIVA-n për vitin 2020, individët rezidentë dhe jorezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën 2.000.000 (dy milionë) lekë e më tepër.

Detyrimin për dorëzimin e DIVA e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2.000.000 (dy milionë) lekë e më tepër.

Gjithashtu, duhet të deklarojnë DIVA 2020, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë, edhe individët rezidentë apo jorezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 (një) punëdhënës. /j.p/r.e/