Ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir pret vazhdimin e rritjes së çmimeve për artikujt ushqimorë në Gjermani e kërkon lehtësime të tjera. Paralajmërohet nga një krizë akute e mungesës së artikujve ushqimorë në botë.
Sipas vlerësimit të ministrit gjerman të Bujqësisë, Cem Özdemir rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë nuk e ka arritur akoma pikën më të lartë të saj. Priten çmime edhe më të larta në të ardhmen. Özdemir kërkon lehtësime të tjera për familjet me të ardhura të vogla. Sërish ai ka përmendur si masë të mundshme heqjen e tvsh-së për frutat dhe perimet. “Mendoj se do të ishte një gjë e mirë, sepse shpenzimet e konsumit ushqimor përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve tek më të varfrit dhe ky do të ishte edhe një kontribut për t’u ushqyer më mirë.”
Debati për heqjen e tvsh-së vazhdon prej disa javësh në Gjermani. Këtë e kanë kërkuar edhe shoqatat sociale, si VdK dhe Qendra Federale e Konsumatorëve, që veç frutave dhe perimeve kërkojnë që taksa mbi vlerën e shtuar të hiqet edhe për qumështin dhe legumet. Ministri gjerman i Bujqësisë e ka shprehur disa herë mbështetjen për një hap të tillë. Por në një intervistë për gazetën gjermane “Tagesspiegel” ai shprehu dyshime, nëse kjo ide mund të mbështetej nga partnerët në koalicionin qeveritar gjerman.tch



























