ATSH/ Në këto dy mandate qeverisëse të PS-së u ulën taksat mbi pagën dhe u rritën pagën e mjekëve e të infermierëve në spitale me 63%, të infermierëve e laborantëve në qendrat shëndetësore me 68%, të mjekëve të parësorit me 57% të mësuesve 32% e të punonjësve të Policisë së Shtetit 46%.

“Jam unë i pari, jo mjekët e infermierët, as mësuesit e policët, që e di që megjithatë nuk mjafton dhe prandaj, në mandatin e tretë, pagat e mësuesve do të rriten edhe 40% më shumë, e po ashtu dhe po ashtu, 40% më shumë do rriten dhe ato të bluzave të bardha, që kanë njohur në fakt rritjen më të lartë historike në këtë mandat të dytë të Partisë Socialiste”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në takim që zhvilloi sot me temë, “Pagat, taksat dhe biznesi në Planin e Veprimit 2021-2025”.

Ai tha se pagat në administratën publike do të rriten me 30%, në mandatin e tretë të Partisë Socialiste.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se pagat e qeveritarëve dhe parlamentarëve nuk do të rriten.

“30% do të rriten edhe pagat e punonjësve të administratës publike, ndërkohë që pagat e qeveritarëve e të parlamentarëve, as janë rritur qysh nga viti 2013 dhe as do të rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025”, theksoi Rama.