Megjithëse Greqia prej vitit 2020 ka rritur disa herë pagat e punonjësve me kohët të plotë, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023 në secilin prej 27 vendeve të BE, grekët renditen të tretët nga fundi.

Mediat vendase që publikojnë tabelën e shifrave duke e quajtur pagën vjetore të grekëve si «paga e varfërisë», theksojnë se sipas të dhënave të Eurostat, rroga mesatare vjetore në Greqi shkon në 17 mijë euro në vit, duke kaluar hungarezët me 16900 dhe më të varfrit e Europës bullgarët, me 13500 euro në vit.

Hendeku i pagave të Greqisë me pjesën tjetër të Evropës po zgjerohet, pasi paga mesatare vjetore me kohë të plotë në BE u rrit me 6.5%, në 37,900 €, nga 35,600 € në 2022. Ndërsa në Greqi kjo rritje shkoi vetëm në 3.6% dhe grekët janë europianët të cilët kanë ende paga më të ulëta se viti 2014, kur kriza ekonomike kishte gjunjëzuar vendin.

Të njëjta shifra publikon edhe raporti i OECD-së (Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik) për mirëqenien globale të këtij viti sipas të cilit Greqia ka pagën e tretë më të ulët midis 35 vendeve anëtare të saj në botë , pas Meksikës dhe Kolumbisë.

Nëse ky nivel pagash kombinohet me shtrenjtësinë e shportës ushqimore, energjisë elektrike apo qirave dhe shpenzimeve të përditshme, kjo shpjegon edhe  gjendjen e dëshpëruar në të cilën ndodhen grekët.

Mbi 65% e qytetarëve përjetojnë vështirësi financiare, një përqindje më e lartë se në vitin 2010. Mes kritikave të opozitës dhe pakënaqësisë sociale, qeveria Mitsotakis ka premtuar që deri në vitin 2027 paga mesatare vjetore në vend të shkojë në 1500 euro, ndërsa ajo më e ulëta në 950 euro.

Top Channel