ATSH/ -Kryeministri Edi Rama e cilësoi si të paturpshëm legalizimin e ryshfetit, të cilin e kërkuan disa mjekë në një protestë përpara disa ditësh.
Në aktivitetin për ndërtimin e maternitetit të ri të Tiranës, Rama tha se, “më bëri shumë përshtypje të them të drejtën, përpara pak ditësh një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse për nga niveli i kurajës edhe për nga paturpësia e propozimit”.
“Patjetër, që niveli i shpërblimit të mjekëve dhe të infermierëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim, siç e kemi rritur edhe në vitet pararendëse. Nuk është një zotim elektoral. Zgjedhjet kanë mbaruar sapo. Por është një zotim i planifikuar që të mbahet. Që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%”, tha Rama.
“Ashtu sikundër edhe kjo në vetvete nuk është se i thotë të gjitha, sepse me autonominë spitalore ne duam të kalojmë në një nivel tjetër të konceptimit të shpërblimit të mjekut. Duke krijuar sigurisht një dysheme, por duke krijuar edhe mundësinë që mbi atë dysheme mjekët të mos paguhen njësoj, por të paguhen sipas mundit dhe sipas volumit të shërbimit dhe natyrisht dhe cilësisë së shërbimit që bëjnë individualisht”, theksoi Rama.
Ky, nënvizoi kreu i qeverisë, “është thelbi në raport me atë që autonomia spitalore sjell në burimet financiare të familjeve të mjekëve. Por që të thuhet që ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin, është vërtetë një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që gjithë lëvizja anti-korrupsion në sistem, në të gjithë sistemin tonë shtetëror, e cila ka filluar të ndjehet, të shtrihet shumë më thellë”.
“Nuk mund të ketë, në asnjë mënyrë një barazim të të gjithë mjekëve, të të gjithë bluzave të bardha në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve, apo të pacientëve. Sepse e vërteta nuk është kështu dhe s’ka si të jetë kështu. Nuk janë njësoj as pemët, nuk janë njësoj as lulet, nuk janë njësoj as kafshët, nuk janë njësoj as njerëzit. Por, që ndarja, mes asaj, sipas meje, shumice që e nderon sistemin tonë shëndetësor dhe është aty për të konfirmuar faktet që lidhen me sa shumë ndërveprime kryhen në funksion të pacientëve edhe sa shumë rezultate arrihen duke vënë në shërbim të tyre të gjitha dijet dhe të gjithë mundin. Bën nga ana tjetër që të jetë absolutisht të domosdoshme që mjekë dhe infermierë, të cilët tronditin opinionin publik, kur papritur shfaqen si gjakpirës në kuptimin e vërtetë të fjalës të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit”, theksoi Rama.
“Për këtë arsye ne kemi në proces edhe ndërtimin e një rrjeti të tërë anti-korrupsion nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur në një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik. Jo thjeshtë sistemin tonë shëndetësor, por të gjithë sistemin tonë publik”, tha Rama.
“Sepse të gjitha këto që bëjmë humbasin një pjesë të rëndësishme të vlerës së tyre, në rast se sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë, të cilët janë aty për t’i shërbyer shtetit dhe për t’i shërbyer njerëzve. Dhe kjo është arsyeja që edhe në spitale ne kemi filluar të vendosim, dhe do ta shtrijmë deri në fund si në të gjithë institucionet e shërbimit të drejtpërdrejtë për publikun, rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të ndarë ose për të kontribuar në ndarjen e të njomit nga i thati”, u shpreh Rama.
“Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit nëse ajo luftë nuk zhvillohet brenda shtetit. Domethënë brenda të gjithë institucioneve dhe të gjitha sistemeve të organizimit të pushtetit ekzekutiv, ku menaxhohen fondet publike, ku paguhen rroga me taksat e qytetarëve dhe ku njerëzit marrin shërbime”, tha Rama.
“Nuk mund të ketë luftë kundër të keqes nëse ajo është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv, i cili qëndron në një barrikadë dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti në të gjitha nivelet, qoftë në radhët e krimit, qoftë në radhët e kujt deri dje ka abuzuar me pushtetin”, theksoi Rama.
“Lufta duhet të zhvillohet brenda në radhë të parë. Dhe vetëm kështu do të rriten të ardhurat, do të rritet besimi, do të rritet solidariteti, do të rritet dinjiteti dhe respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë, në sytë e të gjithë opinionit publik ata, të cilët bëjnë detyrën. Vetëm kështu Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë e shumë vitesh është penguar të ngjitet. Dhe vetëm kështu shteti do të bëhet aleati dhe bashkudhëtari i domosdoshëm dhe besnik i qytetarit”, u shpreh Rama.
“Në të kundërt”, nënvizoi kreu i qeverisë, “është e vështirë, është shumë e vështirë. Natyrisht që dhe kjo është tejet e vështirë, por nuk është e pamundur. Këto që po ndodhin për fat të mirë janë shenjat e para të një ndryshimi që do shkojë duke u thelluar dhe një lëvizje që do të shkojë duke u bërë gjithmonë e më gjithëpërfshirëse, në çdo nivel”.
“Shteti nuk mund të jetë një “refugium pecatorum” për mëkatarë e për grabitqarë, në kurriz të qytetarëve që shtetin e mbajnë në këmbë me kontributet e tyre. Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve. Nuk mund të mëkatohet me lotët e familjarëve. Nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve në asnjë sistem, brenda për brenda sistemit të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë shumë përtej personales dhe që përfshijnë një mënyrë shumë të rrezikshme dhe shpesh herë si një kancer vdekjeprurës kolektiven, të përbashkëtën”. deklaroi Kryeministri.

























