NJU-JORK, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Shkrimtari i njohur Salman Rushdie u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi u sulmua me thikë gjatë një aktiviteti letrar një ditë më parë në Nju-Jork.

Shkrimtari 75-vjeçar u transportua me helikopter drejt spitalit për një ndërhyrje kirurgjikale, por gjendja e tij shëndetësore mbetet ende e paqartë.

Ai është goditur të paktën një herë me thikë në qafë dhe në bark, sipas burimeve zyrtare të policisë nju-jorkeze.

Sipas njoftimeve më të fundit të medias amerikane, përfshi edhe gazetën “Neë York Times”, agjenti i shkrimtarit, Andrew Wylie është shprehur se klienti i tij ishte në frymëmarrje të drejtuar dhe e kishte të pamundur të fliste.

“Lajmet nuk janë të mira”, tha ai. “Salman ka gjasa të humbasë njërin sy. Nervat e njërës dorë i ka të dëmtuara. Mëlçia e tij gjithashtu është prekur nga thika dhe për pasojë është dëmtuar”, shtoi ai.

Autori i sulmit fizik u hodh në skenën e aktivitetit, që po ndiqej nga qindra njerëz, dhe e goditi me thikë shkrimtarin e njohur, deklaroi një zëdhënës i policisë.

Organizatorë të aktivitetit dhe pjesëmarrës ndërhynë dhe e neutralizuan autorin e sulmit, një 24-vjeçar, i cili u arrestua më pas nga policia.

Rushdie u ndihmua fillimisht nga një mjek i pranishëm në audiencën e aktivitetit dhe më pas u dërgua në spital me helikopter.

Autori i ngjarjes mendohet se ka vepruar i vetëm, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Rushdie po mbante një referat në një qendër kulturore si pjesë e një serie aktivitetesh me titull “Më Tepër se një Strehë”, e organizuar për të diskutuar rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si strehë e sigurt për shkrimtarët dhe artistët e persekutuar në mërgim.

Vepra e Rushdies e titulluar “Vargje Satanike” është e ndaluar në Republikën Islamike të Iranit që prej vitit 1988, pasi myslimanët e konsiderojnë blasfemi. Një vit më herët, udhëheqësi i atëhershëm i Iranit, Ajatollah Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një fatva ose dekret për vdekjen e Rushdie.

Një shpërblim prej më shumë se 3 milionë dollarësh është premtuar për këdo që do të vriste shkrimtarin.

Qeveria e Iranit është distancuar prej kohësh nga dekreti i Khomeinit, por ndjenja urrejtjes ndaj Rushdie vazhdon.

/u.sh/