Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez përmes një letre drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ka shprehur keqardhjen që nuk mund të ishte i pranishëm në Samitin Be-Ballkani Perëndimor që u zhvillua sot në Shqipëri, për shkak se në Spanjë festohet Dita e Kushtetutës.
Sanchez shprehet se Spanja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.
“I dashur Kryeministër, i dashur Edi: U gëzova shumë që munda të të takoj javën e kaluar në Kongresin XXVI të Internacionales Socialiste në Madrid, ku treguam edhe njëherë forcimin e përkushtimit tonë për demokracinë, barazinë, drejtësinë sociale dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Është vërtet një kënaqësi për mua të kem miqësinë dhe mbështetjen tënde në këtë projekt të përbashkët. Fatkeqësisht, më është e pamundur të jem në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian –Ballkani Perëndimor që do të mbahet në datën 6 dhjetor, pasi në të njëjtën ditë, në Spanjë festohet Dita e Kushtetutës, ditë, në të cilën përkujtojmë miratimin me referendum nga spanjollët dhe spanjollet të Kushtetutës së vitit 1978, i cili i dha fund dyzet viteve të diktaturës dhe që nga ai çast ka udhëhequr bindjen tonë demokratike”, nënvizohet në letër.
Sanchez shprehet se “si çdo vit, do të zhvillohet në Madrid një nga festimet më të rëndësishme të kalendarit institucional, me një protokoll të rreptë, ku pjesëmarrja ime është e domosdoshme. Kjo nuk e mpak në asnjë mënyrë përkushtimin e Spanjës dhe timin personal mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë në veçanti, të cilin do të vazhdojmë ta mbështesim sa herë të paraqitet rasti”.
Gjithashtu në një postim në rrjetet sociale kryeministri Sanchez uron popullin spanjoll për Ditën e Kushtetutës.
“Si çdo 6 dhjetor, ne festojmë vlerat që na bashkojnë. Liria, barazia, drejtësia dhe pluralizmi politik që kanë çimentuar demokracinë tonë dhe na kanë kthyer në një Spanjë moderne europianiste të përparimit dhe të bashkëjetesës”, tha Sanchez.