Fundjava e fundit e qershorit solli një fluks të lartë turistësh të huaj në portin e Sarandës.
Dega e Përpunimit të Anijeve dhe Trageteve në portin e Sarandës bëri të ditur për ATSH-në se “fundjava e shkuar në portin e Sarandës ka qenë shumë intensive ku hyrjet dhe daljet në Port kanë qenë më të shumta se çdo ditë tjetër, por edhe me shume se çdo fundjavë e shkuar”.
“Të shtunën janë përpunuar gjatë gjithë ditës rreth 4140 pasagjerë dhe 670 turistë të huaj nga kroçera “Bolette” e kompanisë norvegjese Fred. Olsen Cruise Lines”, thekson Dega e Përpunimit të Anijeve dhe Trageteve në Sarandë.
Administrata e Portit Sarandë i rezervoi një pritje të veçantë kroçerës dhe stafit të saj. Një përfaqësi e administratës portuale ka zhvilluar një vizitë në bordin e anijes për t’u uruar mirëseardhjen në Shqipëri dhe Sarandë.
Përfaqësia e Portit Sarandë është pritur nga Kapiteni dhe zv/Kapiteni i “Bolette” dhe pjesëtarë të stafit drejtues të anijes.
Dy drejtuesit kanë shkëmbyer mes tyre simbolet e kompanisë së kroçerës dhe Portit Sarandë.atsh



























