ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi sot seancë dëgjimore me dy kandidatët për pozicionin vakant të anëtarit të Komisionit të Konkurrencës, prof. asoc. dr. Eltjon Halimi dhe prof. asoc.dr. Rezana Konomi (Perolla).

Në fjalën e saj, kandidatja Rezana Konomi tha se me një përvojë prej 31 vitesh karrierë akademike dhe kontribute shkencore në fushën e konkurrencës mund të jap kontributin tim në këtë Autoritet për vendimmarrje jetikë për ekonominë.

Ndërsa kandidati tjetër, Eltjon Halimi tha se mbrojtja e ekonomisë së çdo familjari duhet të jetë prioritet i punës sonë, ashtu si dhe ndikimi për vendosjen e standardeve për konkurrencën për çdo produkt apo shërbim, në mënyrë që të mbrohen interest ekonomike të shoqërisë. Po ashtu, sipas tij, prioritet do të jetë parandalimi i çdo lloj marrëveshjeje që kanë synim krijimin e marrëveshjeve të ndaluara, si ato në formën e kartelit me ndikim negativ, jo vetëm për konsumatorin por edhe shoqërinë në përgjegjësi.

Të dy kandidatët u pyetën edhe për qëndrimet e tyre në lidhje me vendimin më të fundit të Autoritetit të Konkurrencës për rritjen e çmimit të bukës në vend.

Kandidatët u shprehën se nuk kanë informacion të plotë për të gjykuar mbi vendimmarrjen.

Komisioni kaloi të dy kandidaturat për votim në seancën plenare të radhës.