Ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, janë në një trend pozitiv zhvillimi.

 

Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në konferencën për mediet, ku theksoi se, “aktiviteti ekonomik ka pasur një rritje solide gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, inflacioni është në nivele të ulëta, borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie, bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme, ndërsa kreditimi po shfaq një rritje progresive”.

 

Guvernatori vuri në dukje se, sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit.

 

“Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur në masën më të madhe nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit”, tha ai.

 

Sejko theksoi se, “në aspektin makroekonomik, trendi pozitiv i rritjes është ndikuar nga bilancet e shëndosha financiare të bizneseve dhe të familjeve, nga rritja e të ardhurave, nga optimizmi për të ardhmen, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit”.atsh