Në një prehër të qetë të maleve të Shpatit, përballë Bukanikut dhe atje ku retë çahen mbi kodra të buta dhe gjelbërimi nuk njeh stinë, ndodhet Selta, një fshat i vogël, por me histori të madhe. Ky fshat është si një ikonë e vjetër, e pikturuar në heshtje mbi kanavacën e natyrës së vendit tonë, ku feja,arti dhe kultura rrjedhin si uji nga burimet e larta të malit mbi Zavalinë.

Selta nuk është thjesht një vendbanim. Është një telajo e gjallë, ku drita e mëngjesit vizaton forma të buta mbi çatitë e vjetra dhe hapat mbi kalldrëme kanë zë. Gurët e shtëpive janë të mbledhur me kujdes nga toka, të vendosur me një estetikë të natyrshme, sikur vetë natyra i ka gdhendur për t’u bërë strehë. Selta e ruan me fanatizëm thjeshtësinë e bukur të fshatrave të Shqipërisë: dritaret prej druri, oxhaqet që tymosin ngrohtësi, dhe oborret ku kultivohen pemë frutore si rrush, fiq, arra etj.

Në këtë fshat të vogël rreh një zemër e madhe shpirtërore. Kisha e Shën Marisë, një monument sot modest por i fuqishëm në mrekulli, i mbushur me lutje qëndron si dëshmi e praktikimit fetar dhe e besimit të thellë Ortodoks. Në një kohë kur besimi i krishterë përndiqej nga osmanët, Selta u bë streha e besimit — vendi ku gjendeshin 13 Kisha.

 

Këtu Besimi Ortodoks është ngulitur aq thellë saqë është i pranishëm në mënyrën si njerëzit përshëndesin njëri-tjetrin, në mënyrën si festojnë festat dhe të kremtet e Zotit tonë Jisu Krisht, Pashkën si edhe festën e Fjetjes së Shën Marisë në Gusht (28 Gusht).

Selta është një mozaik i gjallë kulturor. Është vendi ku fëmijët mësuan shqip për herë të parë në fillim të shekullit XX (viti 1908) kur fraza “mësim i gjuhës shqipe” ishte ende një akt guximi. Në këtë fshat, arsimimi u bë akt i rezistencës, dhe gërmat shqipe morën jetë nga duart e mësuesit si Mihal Dedja, që çuan librat nëpër shtëpitë dhe sollën dritën në errësirë.

 

Kultura këtu jeton në këngët polifonike, në legjendat që tregohen netëve pranë zjarrit, në dasmat ku vallja fillon me fyellin. Edhe gjuha e përditshme është e ngarkuar me figura, me urti të vjetra që nuk janë shkruar kurrë por janë ruajtur brez pas brezi.

 

Selta është më shumë se një vend, është një ndjesi.

Në Seltë, gjithçka është më shumë se duket: rrugët janë të mbushura me kujtime të paharruara, gurët flasin për histori, njerëzit janë historianë pa libra të lëçitur dhe heshtja është lutje e thellë. Nuk ka nevojë për shumë fjalë kur je aty. Mjafton të ndjesh flladin e pastër që vjen nga mali, një zë burrëror që oshëtin nga larg, aroma e bukës së sapopjekur e punuar me plot përkushtim nga duart e nënave — dhe kupton se Selta është vendbanimi i hershëm arbëror në formën e saj më të pastër.

Selta është vendi i trimave, ata luftuan për liri për afro 500 vjet edhe ndaj një kundërshtari në proporcion jo të drejtë, edhe kur pushtuesit ishin në gramat e tyre të fundit në vitin 1910 sërish nuk donin të largoheshin pa e konvertuar Seltën, por dështuan me turp.

Në Seltë kanë shërbyer klerikë me emër dhe jo më kot Kisha e Shenjtë dërgonte të tillë prelatë në këtë zonë për shkak të atyre që thamë më lart.

Selta është vendi ku shërbeu një nga klerikët më me zë Atë Naun Korçari, i cili na bëri ta vizitojmë dhe ta njohim më tepër këtë vend në këto ditë fund-gushti. At.Grigor Pelushi