Nxjerrja e qëndrueshme e litiumit është në fokusin e bisedimeve mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Freiberg.
Si në Serbi, ashtu edhe në tokën gjermanolindore të Saksonisë, besohet të ketë sasi të mëdha të mineralit të konsideruar komponent kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike.
Projekti sakson synon të prodhojë rreth 12 000 tonë hidroksid litiumi në vit për një periudhë prej 35 vitesh, duke kontribuar në prodhimin e baterive për rreth 600 000 automjete elektrike çdo vit
Shumë më e madhe është sasia e litiumit që planifikohet të prodhohet në Serbi: 58,000 ton litium në vit. Kjo sasi mund të mjaftojë për rreth 1.1 milionë automjete elektrike – që mbulon afërsisht 17% të kërkesës europiane.
Korrikun e këtij viti, Brukseli e Beogradi firmosën një marrëveshje për nxjerrjen e litiumit në Luginën serbe të Jadarit.
Angazhimi i Gjermanisë në marrëveshjen për litiumin me Serbinë është rezultat i një strategjie të koordinuar nga qeveria gjermane dhe Bashkimi Evropian, me qëllim sigurimin e burimeve të qëndrueshme të litiumit për industrinë evropiane të automjeteve elektrike dhe reduktimin e varësisë nga importet kineze.
Gjermania mund të shërbejë jo vetëm si blerëse e litiumit, por edhe si përpunuese e tij direkt në vend, e këtë të fundit, Vuçiç e ka bërë të qartë se do ta preferonte.
Ekspertët konsiderojnë se fabrika të reja të kompanive të mëdha gjermane në Serbi do ta forconin edhe më shumë raportin mjaft të fortë ekonomik mes saj dhe Gjermanisë.
Top Channel