TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini tha se të gjithë fëmijët kanë të drejtë të jetojnë të shëndetshëm dhe pa diskriminim.

Nëpërmjet një video të publikuar në rrjetet sociale Shahini ka uruar fëmijët për festën e 1 Qershorit.

“Fëmijët kanë të drejtë të jetojnë të shëndetshëm, të sigurt, pa dhunë, pa diskriminim, me mirëqenie sociale dhe të mirë-arsimuar. Ne, të rriturit dhe institucionet shtetërore, kemi detyrimin të sigurojmë këto të drejta për të vegjlit tanë”, shprehet ajo ndërsa përmend edhe disa prej politikave të ndërmarra nëpër shkollat tona në funksion të gjithëpërfshirjes.

“Në shkollë, mësuesi ndihmës ndihmon nxënësit me AK të arrijnë potencialin e tyre maksimal akademik. Politika e librave falas ndihmon në përfshirjen e të gjithë fëmijëve në arsim. Rregulloret e ndryshuara të shkollave mbrojnë fëmijët nga diskriminimi dhe dhuna në shkollë”, tha Shahini.

Ndër të tjera, ministrja tha se “gjashtë muajt e fundit kanë qenë shumë të vështira, jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne. Tërmeti mori jetë njerëzish, shtëpi dhe shkolla, ndërsa pandemia që pasoi na detyroi të mbyllim shkollat plotësisht” dhe shprehet se “pëkundër vështirësive, fëmijët treguan qëndrueshmëri dhe fleksibilitet. Bashkëpunuan me prindërit dhe mësuesit, duke kuptuar rëndësinë e shkollimit të tyre dhe punuan nga shtëpia që të mos mbesin prapa me mësime”.

Në fund të mesazhit të saj, Shahini u shpreh se, “sfida e 6 muajve të fundit na ka mësuar shumë se si të përballojmë së bashku edhe vështirësitë më të mëdha. Kemi arritur shumë, por kemi edhe shumë punë për të bërë. Le të shërbejë kjo festë si zotim për të mos reshtur së bëri më të mirën për juve, gjithmonë. Gëzuar 1 Qershorin!”.

ATSH