Presidenti amerikan, Donald Trump tha se i kishte dhënë fund miqësisë së tij me Jeffrey Epstein dhe e dëboi financierin tani të turpëruar nga klubi i tij privat në Florida, pasi Epstein e tradhtoi më shumë se një herë duke punësuar njerëz që kishin punuar për të, sipas AP.

Trump nuk tha se çfarë bënin punonjësit e tij ose ku punonin dhe Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte më tej.

Por, Shtëpia e Bardhë më parë kishte ofruar një shpjegim të ndryshëm për grindjen.

Steven Cheung, drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, tha në një deklaratë javën e kaluar se “fakti është se presidenti e përjashtoi nga klubi i tij sepse ishte i çuditshëm”.

Epstein vrau veten, thonë autoritetet, në një qeli burgu në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual.

Trump dhe aleatët e tij kryesorë nxitën teori konspirative rreth vdekjes së Epstein para se Trump të kthehej në pushtet.

Ata tani po përpiqen të menaxhojnë pasojat pasi Departamenti i Drejtësisë tha se Epstein, në fakt, u vetëvra dhe se nuk do të publikonte dokumente shtesë në lidhje me rastin.

Presidenti dhe aleatët e tij, disa prej të cilëve tani janë në administratë, kishin premtuar të publikonin dosjet.

Çështja e ka ndjekur Trumpin brenda dhe jashtë vendit dhe madje e ka ndjekur edhe zëvendëspresidentin JD Vance gjatë një paraqitjeje në shtetin e tij të Ohajos.

Një grup i vogël protestuesish u mblodhën dje jashtë një fabrike në distriktin Canton që Vance e vizitoi, duke mbajtur pankarta që shkruanin “JD mbron pedofilët”.

Trump foli në pronën e tij të golfit në Turnberry, Skoci, ndërsa ishte takuar me kryeministrin britanik Keir Starmer.

I pyetur të shpjegonte pse marrëdhënia ishte prishur, Trump tha se “kjo është një histori kaq e vjetër, shumë e lehtë për t’u shpjeguar, por nuk dua t’ju humbas kohë duke e shpjeguar”.

Ai më pas shpjegoi, duke thënë se ndaloi së foluri me Epsteinin pasi “ai bëri diçka që ishte e papërshtatshme”.

“Ai vodhi njerëzit që punonin për mua. I thashë mos e bëj më kurrë këtë. Ai e bëri përsëri, dhe unë e largova si person non grata”, tha Trump.

”Jam i lumtur që e bëra, nëse doni ta dini të vërtetën”, shtoi Trump./  a.jor.