Sot bëhen 9 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, humanistja me origjinë shqiptare, e cila ia kushtoi jetën të varfërve dhe të pambrojturve në botë. Më 5 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli shenjtore gjatë një ceremonie në Vatikan, duke njohur dy mrekullitë e kryera pas vdekjes së saj si prova të shenjtërisë.

Ky shenjtërim “foli’ shqip dhe në shesh ishin me mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e shumë vende të tjera. 5 shtatori është shpallur festë zyrtare në Shqipëri. Kjo datë përkon edhe me ditën ku shenjtorja shqiptare u nda nga jeta, pikërisht më 5 Shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë.

Në këtë ditë, ka ardhur një mesazh edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se Nënë Tereza ishte një grua e shenjtë me trup të vogël dhe shpirtin sa betë bota.

“Mirëmëngjes dhe me këtë foto të Shën Terezës, gruas së shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota, ju uroj në këtë ditë të shenjtërimit të saj.

Nënë Tereza ka qenë një shembull solidariteti midis popujve për të gjithë botën, duke marrë çmimin Nobel për Paqen dhe duke u shpallur qytetare Nderi e SHBA. Ajo vetë thoshte që ishte shqiptare me origjinë, indiane me shtetësi, por që i përkiste gjithë botës. Nëna Tereza, e cila është cilësuar nga Vatikani si Shenjtorja e Komunikimit, ka treguar që dialogu është me të vërtet i mundur dhe ajo fliste me të vërtet me të gjithë.

Ajo është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 Çmimin “Nobel për Paqe”. Më 6 Shtator 2017, Tereza dhe Shën Françesk Xavier u emëruan bashkë-mbrojtës të Argjipeshkës Katolike Romake të Kalkutës.