ATSH/Sektori i shërbimeve duket se ka rikuperuar dëmet e shkaktuara nga pandemia përgjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
INSTAT publikoi sot statistikat afatshkurtra për shërbimet për tremujorin e 4 të vitit që lamë pas.
Sektori me përmirësimin më të lartë është turizmi, i cili zgjeroi ndjeshëm shitjet (2.7 herë), të punësuarit (45.6%) dhe pagat (68.6%).
Volumi i shitjeve në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave shënoi rritje me 13.9% në tremujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës.
Referuar të dhënave, përveç volumit të shitjeve, rritje shënuan edhe numri i të punësuarve si dhe pagat.
”Indeksi i numrit të të punësuarve në tregti, e cila përfshin tregti me shumicë, tregti me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, shënoi rritje 0,8 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020. Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 26,4 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020”, thuhet në raport.
Në aktivitetin e transportit, i cili përfshin transportin hekurudhor të mallrave, detar dhe ajror, magazinimin dhe aktivitetin postar, në tremujorin e katërt 2021, shitjet në volum shënuan rritje 31,7 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020. Ndërsa edhe numri i të punësuarve dhe fondi i pagave shënuan rritje respektivisht me 7,3 % dhe 21.1 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020.
Për të njëjtën periudhë, në aktivitetin e hoteleve shitjet në volum shënuan rritje me rreth 2,7 herë, numrit i të punësuarve shënoi rritje 45,6 %, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 68,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020.
Në aktivitetin e bareve dhe restoranteve, shitjet neto në volum shënuai rritje 23,7 %, numri i të punësuarve shënoi rritje 2,4 %, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 18,4 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020.
Sa i përket aktivitetit në fushën e informacionit dhe komunikacionit, INSTAT bën të ditur se volumi i shitjeve shënoi rritje 21,1 %, numri i të punësuarve shënoi rritje 26,2 % dhe fondit i pagave shënoi rritje 74,9 %.
Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 38,3 % në aktivitetet inxhinierike dhe arkitekturore, ndërsa numri i të punësuarve shënoi rritje 6,5 %. Fondi i shënoi rritje 35,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020


























