ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit në akset nacionale duke filluar nga rruga e Kombit e deri në Sarandë e Korçë, ka fluks të lartë të automjeteve në qarkullim, ndërsa janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë me gati dyfish mbi normën e lejuar, apo kanë kryer parakalime dhe manovra të rrezikshme në rrugë, duke u kthyer në burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore .

Policia e Shtetit bën të ditur se nga patrullat e policisë rrugore janë arrestuar në flagrancë 12 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

“Janë pezulluar 58 leje drejtimi, nga të cilat 37 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1679 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, bën të ditur Policia.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.