/ATSH-I.Vata/ Në Forumin e Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal që u zhvillua në Tiranë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se vetëm për bujqësinë, shkëmbimet tregtare do arrijnë shifrën 1 miliard euro.
Në fjalën e tij gjatë këtij Forumi Vuçiç u shpreh se, “unë besoj se të gjithë ju tashmë e shihni qartazi që ne kemi shumë dëshirë të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme dhe bujqësia është një nga sferat më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi dhe ne do ta trajtojmë së bashku”.
“Kjo fushë nuk ka të bëjë vetëm me qarkullimin e lirë të ushqimeve, nuk ka të bëjë vetëm me bashkëpunimin në lidhje me materiale të ndryshme ose me fruta-perime dhe nuk është thjesht as një shkëmbim i produkteve ushqimore ndërmjet tre vendeve tona, por ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e inteligjencës artificiale të fushës së robotëve të softuerëve të teknologjisë së informacionit dhe të gjitha këto që mund ta mbështes më tej në të ardhmen bujqësinë dhe zhvillimin e saj”, tha Vuçiç.
Vuçiç shtoi se, “ne Serbia, meqenëse po flasim për shkëmbimin tregtar për produktet ushqimore kemi 230 milionë euro me Maqedoninë e Veriut që prapë se prapë janë shifra tejet të vogla dhe së shpejti ne do të duhet të arrijmë shifrën 1 miliard, në rast se i bëjmë të gjitha punët ashtu siç duhet. Nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e kontrolleve veterinare fitosnitare dhe të sigurisë ushqimore do të thotë edhe më shumë siguri për produktet që konsumojnë dhe për bujqësinë përshpejtimi i proceseve edhe në uljen e kostove të cilat janë edhe të larta por edhe radhë në pikat kufitare”.
“Po ashtu, ne do të nënshkruajmë këto marrëveshje shtesë që kanë të bëjnë me harmonizimin e proceseve dhe ne besojmë se procedurat do thjeshtohen së tepërmi për sektorin privat. Po ashtu po punojmë për disa kritere të produkteve ushqimore që nuk kërkojnë transport me frigoriferë. Dua të them se ka kapacitet për rritje më shumë të këtij vëllimi, të këtij aktiviteti tregtar. Siç e dëgjuat vetë vetëm për bujqësinë për pak vite do të kalojë shifra 1 miliard, mendoni sa e rëndësishme është kjo për PBB-në e vendeve tona dhe kjo nuk ka për të ndodhur pas 100 vjetësh, por për pak vite”, theksoi ai.
“Ne kemi shumë institucione, organizata që duhet të jenë më të lidhura me njëra- tjetrën, prandaj mbështes idenë e kryeministrit Rama, që të gjitha qeveritë, por në fakt jo vetëm institucionet shtetërore, por të gjithë aktorët të bëhemi bashkë në një takim më të gjerë në Shkup dhe më pas të mblidhemi dhe në Beograd, pasi ne duhet t’i bëjmë bashkë të gjithë aktorët që të kuptohet qartë ideja e shkëmbimit të praktikave më të mira, në mënyrë që të kemi më shumë rezultate në të ardhmen”, përfundoi Vuçiç.
Zaev: Bujqësia, rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e Ballkanit Perëndimor
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deklaroi sot se, bujqësia luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij në Forumin e Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal gjatë samitit të “Ballkanit të Hapur” mbajtur sot në Tiranë, shprehu sot mbështetjen e fortë për bashkëpunimin rajonal në fushën e bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore, si pjesë e nismës Ballkani i Hapur.
“Në këtë takim në Tiranë, ne mund të tregojmë rezultatet konkrete që krijojnë kushtet për bashkëpunim në këto fusha, që ne të ecim përpara më shpejt, me një dinamikë të re, në sajë të këtyre marrëveshjeve që kemi nënshkruar dhe që do nënshkruhen në të ardhmen”, tha Zaev.
“Industria agroushqimore, është një nga më të rëndësishmet në Ballkanin Perëndimor, sa i përket prodhimit industrial, vëllimit tregtar, por edhe të vendeve të punës”, theksoi ai.
“Shifrat flasin vetë për rëndësinë e këtij sektori, si edhe për arsyen se përse ai sektor kërkon mbështetjen tonë të plotë. Aktivitetet agro-bujqësore, përbëjnë 24% në Ballkanin Perëndimor dhe duke u krahasuar me mesataren e BE-së, ku bëhet fjalë për 50%, atëherë është shumë e qartë sesa rol të rëndësishëm luan bujqësia dhe industria ushqimore në rajonin tonë”, theksoi Zaev.
“Bujqësia luan po ashtu edhe një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Si sektor, bujqësia përbën 12% të PBB-së totale të rajonit tonë. Kjo shifër është e lartë në krahasim me atë mesatare të BE-së, ku bujqësia përbën 1.56% të PBB-së, totale. Këto shifra tregojnë qartë faktin që në parim, për shumicën e vendeve në rajon, bujqësia vazhdon të jetë një nga shtysat kryesore të rritjes ekonomike të vendeve tona”, tha ai.
“Është e qartë po ashtu që agro-bizneset kanë edhe ndikimin më të lartë afatshkurtër tek vendet e punës, kur në fakt ato gjenerojnë dyfish të vendeve të punës, sesa sektorë të tjerë të ekonomisë. Për arsye të këtij potenciali të madh, bashkëpunimi rajonal në industrinë ushqimore dhe në bujqësi, duke pasur parasysh edhe shpërndarjen gjeografike të këtij sektori në të gjithë Ballkanin Perëndimor, si edhe lidhjen ndër-sektoriale, është e qartë që kjo industri mund të shndërrohet në një motor shumë të fortë për ekonomitë tona, por edhe për diversifikimin e këtij sektori”, u shpreh Zaev.
“Në mënyrë që ne të inkurajojmë bashkëpunimin rajonal duhet të jemi shumë të motivuar, për potencialin që ofron ky sektor në rritjen ekonomike si dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Bashkëpunimi rajonal në këtë fushë, mund t’i vendosë vendet e Ballkanit Perëndimor, në tregun e BE-së, jo vetëm me çmime më të ulëta, por mbi të gjitha si një rajon nga i cili vijnë produkte të shëndetshme, organike, bio”, tha ai.
“Shifrat janë të forta në vetvete, për të treguar potencialin e lartë për bashkëpunimin potencial që ne kemi në këtë fushë. Dhe në mënyrë që të jetë i mundur shkëmbimi tregtar, është e rëndësishme që ne të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por edhe të punojmë të gjithë së bashku për të promovuar standardet më të larta të mundshme”, u shpreh ai.
Zaev shtoi se, edhe lehtësimi i formaliteteve doganore për qarkullimin e lirë të mallrave, është në fakt një nga aspektet kyçe të rritjes ekonomike.
“Kjo është edhe arsyeja sepse ne si fillim jemi përqendruar tek këto fusha. Pra lehtësimi i procedurave, ulja e kohës që shpenzohet në kufi. Në mënyrë reciproke ne do të njohim certifikatat nga të tre palët nënshkruese, të dërgesave në mënyrë që ky lloj transporti të ecë më shpejt dhe kjo do të na japë efikasitet. Kontrollet e nevojshme kanë të bëjnë me destinacionin përfundimtar”, tha ai.
“Ne do të përpiqemi që të kemi barazi të standardeve dhe cilësisë, gjë që na bën më të konkurreushëm në treg. Ne besojmë po ashtu që duhet të thellojmë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona, të shkëmbejmë përvoja me njëri-tjetrin, si dhe ide për të ardhmen”, theksoi Zaev.
Zaev shtoi se, “investimet e drejtpërdrejta të huaja në bujqësi, janë ende në një nivel shumë të ulët sa u përket mundësive që ekzistojnë. Prandaj unë shoh këtu një potencial tejet të madh. Për këtë arsye bujqësia është një fushë së cilës ne duhet t’i kushtojmë një vëmendje tejet të madhe. Prandaj në nismën Ballkani i Hapur, ne flasim sesi si rajon ne mund të kemi politika të përbashkëta për këto investime të huaja, të drejtpërdrejta”.
“Është e qartë që shanset, mundësitë, ekzistojnë, janë të mëdha, prandaj dhe unë kam bindjen që nga ky forum ne do të dalim me ide dhe me nisma të tjera për të promovuar bashkëpunimin rajonal, në bujqësi, për të mirën e qytetarëve tanë”, përfundoi Zaev.
/a.a/

























