/ Policia e Fierit ka intensifikuar kontrollet për rritjen e sigurisë rrugore, ndërsa vetëm gjatë javës që lamë pas janë konstatuar duke drejtuar mjetet pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur 18 shtetas, për të cilët ka filluar procedimi penal.
Policia ka proceduar administrativisht 2108 drejtues mjetesh, prej të cilëve 762 për tejkalim të normave të shpejtësisë.
Po ashtu 171 drejtues mjetesh u proceduan për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit dhe 231 të tjerë për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Policia vendosi 395 masa administrative për parakalime të gabuara, si dhe pezulloi 82 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 5 për drejtim automjeti, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Policia vendosi 45 masa administrative për drejtim të motomjetit pa kaskë mbrojtëse, si dhe 455 masa të tjera administrative për shkelje të rregullave të ndryshme qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore e Fierit do të vijojë kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, për të gjitha kategoritë e mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për më shumë rregull e siguri në rrugë, në favor të jetës dhe të shëndetit të qytetarëve.atsh


























