ATSH-Maela Marini/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin e Krimit të Organizuar, Arben Kraja foli sot lidhur me superoperacionin e trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave po u zhvillua ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe Antimafias Italiane, ku janë lëshuar 38 urdhërarreste, ndërsa për 10 persona është ekzekutuar masa më parë.
Detaje lidhur me këtë operacion të rëndësishëm dhanë sot në një konferencë të përbashkët për shtyp, edhe Prokurori kombëtar italian i Anti-mafias e Antiterrorizmit, dr. Cafiero de Raho, zëvendëspresidenti e pjesëtari për palën e Italisë në Eurojust, Filippo Spiezia, Kryeprokurori i Republikës në Bari, Roberto Rossi dhe Drejtori i Përgjithshëm i DIA-s, Maurizio Vallone.
Kreu i SPAK, Kraja tha se “ka patur një shkëmbim të menjëhershëm informacionesh me palën italiane, duke bërë të mundur finalizimin e këtij operacioni”.
Ai theksoi se u bë e mundur zbulimi i të gjithë hallkave të këtij ‘zinxhiri’ të trafikut të drogës, që nga prodhimi dhe më pas transporti dhe dërgimi në Itali.
“Në kuadër të këtij operacioni u bë një shkëmbim i menjëhershëm informacioni dhe shumë i suksesshëm në grumbullimin dhe administrimin e provave dhe arritjen e një konkluzioni konkret, ekzekutimin e 28 masave të arrestit sot, të dhëna nga SPAK”, tha Kraja.
Një moment i rëndësishëm, sipas tij, “është hetimi i gjithanshëm që është kryer”. “Është evidentuar i gjithë zinxhiri nga prodhimi dhe transporti i lëndëve narkotike në Itali. Është evidentuar dhe provuar përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publik në këtë lloj aktiviteti duke favorizuar aktivitetin kriminal. Bëhet fjalë për prokurorë, zëvendës policie, administratorë të pushtetit lokal dhe janë sekuestruar pasuri të konsiderueshëm me disa miliona euro vlerë. Gjithashtu një tregues i rëndësishëm që dua të vlerësoj është bashkëpunimi i 4 dëshmitarëve të drejtësisë që kanë bashkëpunuar. Kemi ngritur akuza edhe për pastrim parash. Para një viti ne ishim në një konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni dhe në atë takim theksova se do i shkojmë deri në fund këtij hetimi dhe kush është i përfshirë do mbajë përgjegjësi, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatën ku e kemi mbajtur premtimin dhe kemi bërë më të mirë”, tha Kraja. (vijon)