Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se, “marrëveshja e bashkëpunimit që miratuam sot, mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës synon zbatimin e lehtësirave reciproke të ndërsjellta në procedurat doganore dhe kontrollit të hyrje/daljeve të mallrave”.
Sipas saj, kjo është një marrëveshje e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët midis dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa sot kjo marrëveshje shkon në Parlament me qëllim lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve tona duke njohur të gjitha licensat që ndodhen në pikat doganore, duke unifikuar kontrollet e vetëm një vendi, duke ulur kohën e kontrollit.
Ibrahimaj tha se, “marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës, në portin e Durrësit dhe lehtësitë që ajo do të sjelli. Gjithashtu kjo marrëveshje njeh disa protokolle që do t’i hapin rrugë hapjes së të tjera pikave doganore të Kosovës në Republikën e Shqipërisë”.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me kontrollin Tatimor në bizneset e Agron Dukës, në kohën kur i vëllai, Armando Duka është përfshirë në debatin për kreun e FSHF, Ibrahimaj tha se, “në fakt administrata funksionon në bazë të ligjeve dhe procedurave tatimore. Rasti në fjalë ka qenë rastësi në këtë moment, vjen pas një sërë denoncimesh”.
“Administrata ka detyrimin t’i mbyllë brenda një afati 7 ditor. Janë subjekt i kontrolleve të shpeshta, për uljen e informalitetit”, u shpreh Ibrahimaj. /a.a/



























