103 vjet më parë u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA, më 28 korrik të vitit 1922.

Kjo ngjarje e rëndësishme erdhi pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Wilson doli në krah të shqiptarëve.

Më 28 korrik 1922 ministri fuqiplotë dhe i dërguari i jashtëzakonshëm i SHBA-së, Maxwell Blake zhvilloi një takim me kryeministrin Xhafer Ypi i cili shërbente njëkohësisht edhe si ministër i jashtëm. Partneriteti i frytshëm Shqipëri- SHBA zgjati deri në instalimin e regjimit komunist në vendin tonë.

Marrëdhëniet patën një ndërprerje prej 52 vjetësh (periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe regjimi komunist) për t’u rivendosur sërish më 15 mars 1991, me përmbysjen e regjimit dhe vendosjen e demokracisë.

Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922. Ndërsa William Rajerson u bë ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve në 1991.

Ambasadori i parë shqiptar në Uashington ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Ahmet Zogu.

Zyrtari i parë i lartë i SHBA-së që vizitonte Shqipërinë, ishte sekretari amerikan i Shtetit James Baker në Tiranë më 21 qershor 1991, tre muaj pas rivendosjes së marrëdhënieve. Ndërsa presidenti i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë ishte George W. Bush, më 10 qershor 2007.