ATSH/- 21 Marsi është “Dita Ndërkombëtare e Pyjeve”, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e politikës, biznesit dhe komuniteteve për rëndësinë dhe rolin e pazëvendësueshëm që pyjet kanë mbi jetën në Planet.
Gjithashtu vlerësohet edhe si një ditë ku vendimmarrjet duhet të fokusohen vetëm në drejtim të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore
Me rastin e ditës së pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura informon se zonave të mbrojtura të qarkut Vlorë i shtohen 1️2️0️0️ ha total zonë pyjore përkatësisht në : Parkun Kombëtar Llogara, Rezervati Natyror i Menaxhuar “Bredhi i Kardhiqit-Rrëzomë” dhe Parku Natyror “Syri i Kaltër”.
Shtimi i sipërfaqeve pyjore të mbrojtura nxit përdorimin e qëndrueshëm dhe kontribuon në ruajtjen e shërbimeve të ekosistemeve pyjore.
Shërbimet kryesore të një ekosistemi pyjor klasifikohen në shërbimet furnizuese, me ushqim, lëndë të para, ujë të freskët, resurse gjenetike etj, shërbimet rregullatore, si ciklimi i nutrientëve, rregullimi i klimës dhe cilësisë së ajrit, mbrojtja nga përmbytjet, mbrojtja nga erozioni, etj si dhe në shërbimet kulturore, si rekreacion, vlera estetike, të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.
Qëllimi i kësaj dite është të rikujtojmë rëndësinë që kanë pyjet dhe detyrës që kemi për sigurimin e ruajtjes së këtyre ekosistemeve natyrore që ka vendi ynë për vazhdimësinë e tyre edhe për brezat e ardhshëm dhe një të ardhme të qëndrueshme…..



























