TIRANË, 10 qershor/ATSH/ “Kemi marrë dje një lajm shumë të mirë nga tregjet e kapitaleve dhe fakti është që kemi arritur një rezultat që na inkurajon jashtëzakonisht shumë dhe që garanton planin e ri kombëtar “Shqipëria 2030” për një transformim të mëtejshëm ekonomik dhe social duke adresuar rindërtimin, rimëkëmbjen, sepse Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera del nga dy goditje njëra pas tjetrës, si dhe ambicien tonë për një shtysë të fortë përpara të ekonomisë dhe punësimit në vitet e ardhshme”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sapo të jemi gati, në javët në vijim, do të paraqitet plani i ri kombëtar që nuk do të jetë program zhvillimi në letër aq me pak një strategji në një dokument që duhet përkthyer pastaj në masa, por do të jetë një plan veprimi i kalenderizuar në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë”.

“Ajo që ka ndodhur dje me Shqipërinë në tregjet e kapitaleve është faktikisht ajo që ndodh me çdo vend kur del në tregjet e kapitaleve që merr vlerësimin për situatën në aspektin e të gjithë parametrave ekonomikë. Po ashtu është shumë e rëndësishme të nënvizohet se merr vlerësimin lidhur me riskun”- theksoi Rama.

ATSH